(VIDEO) VMRO dhe LSDM përplasen verbalisht për Kodin Zgjedhor

(VIDEO) VMRO dhe LSDM përplasen verbalisht për Kodin Zgjedhor

Partia në pushtet VMRO-DPMNE, ka bërë të ditur se bllokadat që LSDM-ja, Levica dhe BDI-ja po i zbatojnë në Kuvend janë të drejtuara drejtpërdrejt kundër qytetarëve dhe se viktima më e madhe e politikës së tyre të papërgjegjshme është diaspora maqedonase, e cila sipas tyre edhe një herë është lënë në plan të dytë për shkak të interesave të ngushta partiake të LSDM-së, Levicës dhe BDI-së. VMRO tha se me bllokimin e zgjidhjeve ligjore për përmirësimin e shërbimeve për diasporën, LSDM-ja, Levica dhe BDI-ja tregojnë se interesat politike janë më të rëndësishme për ta sesa nevojat e qindra mijëra qytetarëve maqedonas jashtë vendit.

VMRO-DPMNE

“Diaspora maqedonase prej vitesh jep një kontribut të madh në zhvillimin e shtetit. Ajo investon, ndihmon familjet e saj, krijon mundësi për lidhje të reja ekonomike dhe e promovon Maqedoninë në mbarë botën. Në vend që t’u mundësohen shërbime më të shpejta, më efikase dhe më të qasshme, LSDM-ja, Levica dhe BDI-ja vendosën të bllokojnë proceset për lehtësimin e votimit dhe miratimin e Kodit të ri Zgjedhor”.

VMRO njoftoi se synimi i tyre është një administratë moderne, efikase dhe e qasshme, e cila do të jetë një shërbim i vërtetë për diasporën.

Ndërkohë, nga partia opozitare LSDM thonë se ky është një reagim i pritshëm nga një parti që përpiqet të krijojë përshtypjen e një “uniteti opozitar”, ndërsa në realitet promovon agjendën e Hristijan Mickoskit. Qëndrimi sipas LSDM-së, lidhur me Kodin Zgjedhor është i qartë dhe i padiskutueshëm dhe se nuk ka asgjë për t’u harmonizuar me Levicën.

LSDM

“Ne nuk do të pranojmë propozime që hapin hapësirë për manipulim zgjedhor, veçanërisht kur bëhet fjalë për votimin e diasporës dhe për modele që favorizojnë një parti në dëm të zgjedhjeve të drejta dhe transparente. Levica, si parti satelite e VMRO-së, nuk ka legjitimitet të përfaqësojë opozitën dhe as të diktojë agjendën e saj”.

LSDM ka theksuar se roli i tyre gjatë periudhës së kaluar është më se i qartë të ushtrojë presion ndaj partisë opozitare që të pranojë zgjidhje që janë në interes të Mickoskit, e jo në interes të zgjedhjeve të drejta. Ata thonë se nuk do të marrin pjesë në çfarëdo koordinimi që synon të fshehë problemin e vërtetë, që VMRO dëshiron një Kod Zgjedhor që do t’i mundësojë të kontrollojë dhe të manipulojë rezultatet zgjedhore.

Zebushe Ramadani /SHENJA/

MARKETING