(VIDEO) Hapet edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar të muzikës “Çarshia”
Komuna e Çairit prezantoi sot programin e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, i cili do të mbahet nga 23 deri më 26 korrik në ambientin autentik të Çarshisë së Vjetër të Shkupit. Festivali është një nismë e re kulturore e Komunës së Çairit, e krijuar me synimin për të themeluar një traditë të re artistike që promovon muzikën klasike, forcon bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar dhe vë në pah trashëgiminë historike e kulturore të Çarshisë së Vjetër.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se festivali përfaqëson një investim strategjik në kulturë dhe identitet.
IZET MEXHITI, KRYETARI I KOMUNËS SË ÇAIRIT
“Kështu nga 23 deri më 26 Korrik ‘Suli Ani’ dhe ‘Kurshumli Ani’ do të shndërrohen në skena ku muzika klasike do të takohet me historinë e Çarshisë së Vjetër nën drejtimin artistik të Inva Mulës dhe Deshira Ahmetit. Festivali do të mbledhë artistë të shquar vendor dhe ndërkombëtar duke sjellë një program që pasuron jetën kulturore të qytetit dhe i jep atij dimenzionin që e meriton”.
Mexhiti tha se ambicia e tyre shkon përtej 4 ditëve të festivalit pasi që duan të ndërtojnë një institucion kulturor që do të rritet në çdo edicion dhe që do të tërheq artistë nga vende të ndryshme. Ai beson se kultura është ura më e fortë mes njerëzve dhe se festivali ‘Çarshia’ është pikërisht një urë e tillë ndërmjet traditës dhe bashkëkohores, ndërmjet trashëgimisë lokale dhe artit botëror.
Ai tha se nën drejtimin artistik të yjeve botërore të operës, festivali do të sjellë përmbajtje muzikore të nivelit më të lartë në një nga hapësirat historike më të rëndësishme të Shkupit. Ndërkaq gjatë programit katërditor do të performojnë artistë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa koncertet do të mbahen në hapësirat autentike të Suli Anit dhe Kurshumli Anit, duke e shndërruar Çarshinë e Vjetër në një skenë të muzikës klasike dhe dialogut kulturor.
Anida Murati /SHENJA/

