Rama për Kurtin: Qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat të ndryshme

Rama për Kurtin: Qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat të ndryshme

“Qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat të ndryshme”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për raportet me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Deklaratën e ka dhënë në përgjigje të pyetjes nëse Rama do të bashkohet me Kurtin për të reaguar njëzëshëm për protestat e studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, në kërkesën që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe.

“Unë nuk bëj babën e askujt që ka shpinë e vet. Kosova ka kryeministrin e vet. Ka institucionet e veta dhe ka pasur një kohë para se të bëhesha unë kryeministër kur nga Tirana i tregohej Kosovës se çka duhej me bë e i shkohej atyre në Shkup e Tetovë dhe u tregohej se çka duhej me bë. Kanë qenë vite shumë brutale për nga vulgariteti i politikës së jashtme në tërësi dhe politikës rajonale në veçanti. Brutalisht injorancë, që ka sjellë vetëm dëme”, ka thënë Rama në një tubim me të rinjtë në Jalë.

Ai ka shtuar se ajo që ishte quajtur “Platforma e Tiranës”, si dokument i dakorduar mes partive shqiptare në Maqedoni të Veriut më 2017, që të kenë kushte bazë për të hyrë në qeveri, ishte kërkesë e vetë shqiptarëve dhe jo e Ramës.

“Askush s’mund të thotë se kam ndërhyrë në fushatën në Maqedoninë për të ndihmuar njërin apo për të sulmuar tjetrin. Kam qenë gjithmonë respektues. Për sa i përket Kosovës, Kosova është shtet tjetër. Nuk është krahinë e Shqipërisë në kuptimin që s’varet nga Shqipëria. Është shtet tjetër. Ka institucionet e veta, kështu që unë Albinin gjithmonë e takoj me shumë kënaqësi. Na ecën muhabeti shumë mirë kur takohemi dhe bëjmë shumë humor me njëri-tjetrin. Po të kishte një kamerë të shihte kur takohem me Albinin, do habitej e gjithë dynjaja. Por s’jemi në kushtet që t’i themi hajde ti këtu, e ai jo e jo. Kemi respekt reciprok, por secili ka shtetin e vet, qeverinë e vet, mendjen e vet. Fatmirësisht qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat të ndryshme. Dy njerëz të ndryshëm dhe s’ka problem”, ka thënë ai.

Rama ka deklaruar po ashtu se Shqipëria nuk do të ketë vetë për t’i vënë askujt në rrugën për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, po që se shteti shqiptar do të pranohej në periudhë të afërt.

Ndër vite raportet Rama-Kurti janë karakterizuar me përplasje verbale, pavarësisht se të dy kanë thënë se komunikojnë direkt me njëri-tjetrin. Kurti pati shprehur rezerva për disa qëndrime të Ramës në raport me Ballkanin e Hapur, ndërsa Rama ka bërë thirrje për ndryshime në pozicionet e Kosovës përballë shteteve aleate.

MARKETING