Erdogan: Turqia po përparon drejt shndërrimit në një nga polet e sistemit të ri ndërkombëtar

Erdogan: Turqia po përparon drejt shndërrimit në një nga polet e sistemit të ri ndërkombëtar

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan theksoi të premten përparimin e Turqisë drejt shndërrimit në “një nga polet e sistemit të ri ndërkombëtar”, në një kohë kur paradigma globale e sigurisë po kalon përmes “një transformimi rrënjësor”, raporton Anadolu.

Duke folur në ceremoninë e diplomimit të Universitetit e Mbrojtjes Kombëtare, ai tha se inteligjenca artificiale dhe teknologjitë në zhvillim po riformësojnë thellësisht çdo aspekt të jetës, nga arsimi dhe kujdesi shëndetësor deri te financat, transporti dhe shërbimet publike, duke shtuar se ndikimi i tyre është edhe më i dukshëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Luftërat nuk zhvillohen më vetëm në fushën e betejës. Ato zhvillohen gjithashtu përmes sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit. Infrastrukturat kritike, linjat e transmetimit të energjisë dhe rrugët tregtare po bëhen objektiv i dronëve kamikazë”, tha Erdogan, duke vënë në dukje rolin në rritje të mjeteve ajrore dhe detare pa pilot, si dhe të softuerëve të bazuar në inteligjencën artificiale në përcaktimin e rezultatit të operacioneve ushtarake.

Erdogan theksoi se në këtë mjedis, ku zbulimi dhe inteligjenca në kohë reale janë bërë shumëzues të domosdoshëm të fuqisë, planifikimi, komanda dhe kontrolli janë më kritikë se kurrë më parë.

 

– Industria e mbrojtjes e Turqisë arrin 82 për qind prodhim vendor

Ai gjithashtu vuri në dukje se industria e mbrojtjes e Turqisë ka arritur një nivel prej 82 për qind prodhim vendor, duke shtuar se produktet testohen drejtpërdrejt në terren dhe përmirësohen e përditësohen vazhdimisht bazuar në reagimet e marra.

Erdogan tha se inxhinierët, zhvilluesit e softuerëve, teknikët dhe afro 4.000 kompanitë që operojnë në sektorin e mbrojtjes vazhdojnë të sjellin arritje të reja çdo ditë, duke theksuar se këto përparime i kanë mundësuar Turqisë pajisjen e forcave të saj të sigurisë me mjete moderne të prodhuara në vend.

Duke theksuar rritjen e eksporteve të mbrojtjes së vendit, Erdogan tha se Turqia ka eksportuar produkte të industrisë së mbrojtjes dhe hapësirës ajrore me vlerë mbi 11 miliardë dollarë gjatë 12 muajve të fundit, duke vendosur rekord të ri.

“Eksportet tona (të mbrojtjes) gjatë periudhës janar-qershor arritën në 4,665 miliardë dollarë, rreth 30 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm në qershor eksportuam produkte me vlerë 803 milionë dollarë”, tha ai.

MARKETING