Shteti nxjerr sërish në shitje apartamentet luksoze të Gruevskit në Vodno

Shteti nxjerr sërish në shitje apartamentet luksoze të Gruevskit në Vodno

Tre apartamente luksoze që i përkisnin ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, të konfiskuara nga shteti pas vendimit të formës së prerë në rastin “Parcelat në Vodno”, janë nxjerrë sërish në shitje përmes ankandit publik.

Sipas njoftimit, apartamentet do të jenë të hapura për shikim më 16 korrik, ndërsa ankandi publik do të mbahet më 29 korrik.

Dy prej apartamenteve kanë sipërfaqe banimi prej rreth 200 metrash katrorë secili, si dhe tarraca prej afro 50 metrash katrorë. Çmimi fillestar për secilin prej tyre është caktuar në 850.000 euro.

Apartamenti i tretë ka një sipërfaqe prej rreth 150 metrash katrorë dhe një ballkon prej 95 metrash katrorë. Ai ofrohet me çmim fillestar prej 760.000 euro.

Në total, vlera fillestare e tri pronave arrin në 2,46 milionë euro, ndërsa çmimi mesatar për metër katror tejkalon 3.400 euro. Shuma përfundimtare pritet të përcaktohet gjatë zhvillimit të ankandit publik.

Sipas të dhënave të publikuara, apartamentet karakterizohen nga ambiente të bollshme, tarraca të mëdha, pajisje luksoze, xhakuzi dhe pamje panoramike mbi Shkupin.

Kjo është përpjekja e dytë për shitjen e një pjese të këtyre pronave, pasi dy nga apartamentet ishin nxjerrë më herët në ankand, por nuk u gjetën blerës.

Pronat u konfiskuan pas përfundimit të procedurës gjyqësore në rastin “Parcelat në Vodno”, në të cilin Nikolla Gruevski u dënua me nëntë vjet burg. Sipas aktgjykimit, rasti kishte të bënte me përvetësimin e paligjshëm të 1,3 milionë eurove nga donacionet partiake dhe përdorimin e këtyre mjeteve për blerjen e tokës dhe ndërtimin e pasurive të paluajtshme.

MARKETING