(VIDEO) Ndryshimet në kodin zgjedhor, partitë me oferat dhe akuza
Pasi kanë mbetur edhe vetëm pesë ditë deri në afatin përfundimtar, përkatësisht deri më 15 korrik, kur vendi duhet të përmbushë edhe pikën e dhjetë të Agjendës Reformuese, që ka të bëjë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ende nuk ka asnjë lëvizje konkrete në këtë drejtim.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, ju ka bërë thirrje të gjitha partive politike opozitare, duke përfshirë edhe ata deputet të Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit dhe ata të Ziadin Selës, që të ulen dhe të dakordohen në lidhje me këtë çështje, duke shtuar se VMRO-DPMNE do ta mbështesë çdo zgjidhje ligjore për të cilën do të bien dakord partitë opozitare.
BOJAN STOJANOSKI, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË
“Edhe një herë u bëj thirrje të ulen dhe të merren vesh. Ne do të pranojmë gjithçka që ata dakordojnë, mjafton të realizojmë këtë qëllim dhe t’u mundësojmë qytetarëve tanë që jetojnë në diasporë të ushtrojnë të drejtën e votës”.
Ndërkaq, reagime të mënjerhershme kanë vijuar nga partitë opozitare maqedonase. Nga LSDM thonë se nuk janë kundër të drejtës së diasporës për të votuar, por janë kundër modeleve të pakontrolluara të votimit që mund të hapin hapësirë për keqpërdorime zgjedhore. Zëdhënësja e kësaj partie, Bogdanka Kuzeska, tha se kryeministri Hristijan Mickoski dhe VMRO‑DPMNE po përpiqen ta mashtrojnë opinionin përmes çështjes së ndryshimeve të Kodit Zgjedhor dhe votimit të diasporës.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Mickoski e di shumë mirë pse e shtyn këtë zgjidhje. VMRO‑OKG ka histori të vjedhjes së zgjedhjeve. Para dhjetë vitesh pamë si vidhej vota, si organizoheshin struktura paralele dhe si përdoroheshin të gjitha mekanizmat e mundshëm për manipulim. Për ta, vjedhja e parave dhe vjedhja e votave është e njëjta gjë dhe në të dy rastet bëhet fjalë për krim. Tani, kur nuk u funksionojnë më skandalet e rreme dhe devijimet, përpiqen përmes Kodit Zgjedhor të sigurojnë një mekanizëm të ri manipulimi”.
Me anë të një statusi në Facebook, kanë reagur edhe nga partia tjetër opozitare Levica, të cilët akuzojnë VMRO-DPMNE-në se po e përdor çështjen e votimit të diasporës për interesa partiake, duke pretenduar se shpallja e diasporës si “vija e vetme e kuqe” lidhet me rënien e mbështetjes për partinë në pushtet.
LEVICA
“Nuk është rastësi që VMRO-DPMNE e shpalli diasporën si vijën e saj të vetme të kuqe, në një kohë kur edhe anketat e saj, të cilat sipas nesh financohen me para publike, tregojnë rënie të mbështetjes. Në vend që të përballet me pakënaqësinë në rritje në vend, Mickoski duket se po kërkon shpëtimin politik jashtë shtetit”.
Kujtojmë se LSDM dhe Levica kanë paralajmëruar bllokim të ligjit me mijëra amendamenteve në kuvend.
Samir Mustafa /SHENJA/

