Goditet grupi kriminal “Bellanoca”, arrestohen në Durrës dy të kërkuar
Në një aksion të përbashkët të Policisë së Maqedonisë së Veriut, Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së SHBA-së (DSS) dhe autoriteteve të sigurisë së Shqipërisë, në Durrës u arrestuan dy anëtarë të grupit të organizuar kriminal “Bellanoca”.
Bazuar në informacionet e siguruara nga Policia e Maqedonisë së Veriut, në Durrës, Shqipëri, u zhvillua një operacion ndërkombëtar policor, gjatë të cilit u arrestuan M. Xh. (26), i lindur në Shkup, dhe S. N. (34), i lindur në Norvegji. Të dy janë anëtarë të grupit të organizuar kriminal “Bellanoca”, ndaj të cilëve Interpoli kishte lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare për veprat penale: “vrasje”, “tentativë për vrasje”, “lëndim i rëndë trupor”, “prodhim, posedim dhe tregtim i paligjshëm i armëve ose lëndëve shpërthyese” dhe “bashkim kriminal”.
Gjatë arrestimit, autoritetet u gjetën të dyshuarve dokumente personale të falsifikuara, për të cilat dyshohet se i kanë përdorur për të dalë nga territori i Maqedonisë së Veriut dhe për t’iu shmangur drejtësisë.
Ky operacion është rezultat i një bashkëpunimi disamujor ndërmjet Policisë së Maqedonisë së Veriut, Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së SHBA-së (DSS) dhe autoriteteve të sigurisë të Republikës së Shqipërisë.

