Tensionet rikthehen mes Iranit dhe SHBA-së, Teherani akuzon Uashingtonin për shkelje të armëpushimit
Irani ka ngritur akuza ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar veprimet e saj si “shkelje flagrante” të marrëveshjes së armëpushimit të arritur më 17 qershor.
Ministria e Jashtme iraniane ka deklaruar se SHBA-ja ka cenuar dispozitat e memorandumit të mirëkuptimit, i cili kishte paraparë ndërprerjen e operacioneve ushtarake dhe uljen e tensioneve mes palëve.
Sipas autoriteteve iraniane, marrëveshja përfshinte edhe angazhimin për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale.
Përplasjet mes dy vendeve janë shtuar pas akuzave të ndërsjella lidhur me incidentet në këtë zonë. SHBA-ja më herët ka pretenduar se Irani ka shkelur armëpushimin duke sulmuar tri anije tregtare në ngushticë, ndërsa Teherani ka mohuar përgjegjësinë për këto veprime.
Interpretimi i ndryshëm i marrëveshjes së armëpushimit mbetet një nga çështjet kryesore që po ushqen tensionet mes dy vendeve.

