(VIDEO) Hiqet kioska “Ali Tobaco” në afërsi të vendkalimit illegal në Bit Pazar
“Ndodhemi në Bit Pazar, ku pas disa paralajmërimeve është larguar konstruksioni i kioskës “Ali Tobacco”, e cila zinte një pjesë të trotuarit pranë urës. Hapësira tashmë është liruar, duke mundësuar lëvizje më të lehtë për këmbësorët”.
Largimi i kioskës vjen në kohën kur autoritetet e Qytetit të Shkupit kanë paralajmëruar masa për lirimin e hapësirave publike dhe rritjen e sigurisë në këtë zonë. Sipas informacioneve, ajo nuk është mbyllur, por është zhvendosur në një lokacion tjetër në afërsi, duke vazhduar aktivitetin e saj. Për ngjarjen ka reaguar edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, duke publikuar edhe pamje nga aksioni. “Me një fjalë të mirë dhe me qasje të përgjegjshme, nuk ka zgjidhje të pamundura!”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për vendkalimin ilegal të këmbësorëve pranë Bit Pazarit, i cili prej vitesh përdoret nga qytetarët, pavarësisht se nuk është i shënuar zyrtarisht. Autoritetet kanë paralajmëruar se çështja do të diskutohet më tej, me opsione që përfshijnë mbylljen e vendkalimit ilegal dhe gjetjen e një zgjidhjeje të re për qarkullimin e këmbësorëve, duke pasur parasysh debatet rreth urës ekzistuese për këmbësorë, e cila prej kohësh nuk është funksionale.
Zebushe Ramadani /SHENJA/

