(VIDEO) Tre ministrat e rinj me karrierë të ngjeshur

(VIDEO) Tre ministrat e rinj me karrierë të ngjeshur

Emrat e rinj që do të jenë në krye të ministrive që u riformatuan nga kryeministri, përmes biografive të tyre janë figura premtuese, ndërsa koha do të tregoj më shumë për punën dhe angazhimin e tyre.

Profesori Jeton Shasivari që pritet të udhëheq Ministrinë e Drejtësisë, është doktor i shkencave. Ai është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore dhe është ekspert i të drejtës kushtetuese. Ai gjithashtu njihet për angazhimin e tij në fushën akademike dhe për analizat mbi çështjet juridike dhe kushtetuese. Shasivari së fundmi ka qenë njëri ndër përpiluesit e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuad. Ndërsa ky është posti i parë politik që e ushtron.

Pas zyrtarizimit të emrit të tij, ai reagoi me një postim në facebook, duke falënderuar VLEN-in për nominimin e tij në Drejtësi.

Jeton Shasivari, ministër i ri i Drejtësisë

“Nëse më besohet kjo përgjegjësi, do ta ushtroj me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë, në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit”.

Sedat Sulejmani, ministri i ri i Kulturës deri tani ka qenë zëvendësministër në të njejtin institucion. Ai është i lindur në Tetovë, ndërsa studimet i ka kryer në Turqi. Në vitin 2020, ai mori postin  zëvendësministër i Kulturës dhe e mbajti këtë pozicion deri në vitin 2021. Nga viti 2023 deri në vitin 2024, ai ishte këshilltar për mbështetje administrative profesionale në Inspektoratin Komunal në Komunën e Tetovës.

Agon Ferati, ministri i ri Marëdhënieve ndërmjet bashkësive, post që deri tani e mbante Ivan Stoillkoviq. Agon Ferati është alumn i Programit të Shkëmbimit të Këshillit Amerikan të Liderëve të Rinj Politikë. Ai ka ndjekur trajnime profesionale në institucione si Instituti Robert Schuman, Universiteti Lund, OSBE dhe UNOPS, duke ndërtuar një bazë të fortë për qeverisjen e mirë.

Në aspektin politik, ai shërbeu si nënkryetari i Parë i Lëvizjes për Reforma në PDSH (LR-PDSH), strukturë që më vonë u riemërua në Aleanca për Shqiptarët (ASH). Që nga viti 2020 Ferati kishte dhënë dorëheqje nga funksionet politike. Ai e orientoi karrierën në fushën e menaxhimit të projekteve dhe fondeve evropiane, duke u larguar nga aktiviteti i drejtpërdrejt politik për t’u fokusuar në zhvillimin lokal. Emine Ismaili Lusha /SHENJA/

MARKETING