(VIDEO) Dimitrievski: ZNAM do të dalë më i fortë pas ndryshimeve në Qeveri

(VIDEO) Dimitrievski: ZNAM do të dalë më i fortë pas ndryshimeve në Qeveri

Kryetari i partisë më të vogël në koalicionin qeverisës ZNAM, Maksim Dimitrievski, paralajmëron se partia e tij, pas këtij rikonstruimi të Qeverisë do të jetë më e fuqishme në aspekt kadrovik, duke lënë të nënkuptohet se do të zë më shumë vend në kulaçin qeveritar.  Duke mos ndarë asnjë detaj tjetër, nëse ndonjëri nga ministrat e tij do të largohet, ose cilat resore mund t’i marrin, Dimitriveski tha se ai si kryetar partie jep propozime, ndërsa vendimet i merr kryeministri dhe shtoi se të martën të gjitha pyetjet do të kenë përgjigje.

Maksim Dimitrievski, kryetar i partisë ZNAM

“Një gjë mund t’jua them me siguri, se pas këtij rikonstruimi të Qeverisë, ZNAM do të jetë më i fuqishëm në aspektin kadrovik edhe me potencial dhe në pjesën e disponueshmërisë së implementimeve direkte të pushtetit, në resoret e ministrive dhe në eshalonet më të ulëta të pushtetit. I hedh poshtë të gjitha spekulimet që vijnë parasegjithash nga portale, të cilat brifohen drejtpërdrejt nga opozita”.

Sipas informacioneve që po qarkullojnë në media, bëhet fjalë për së paku rikonstruimin e pesë ministrive, edhe atë shëndetësia, kultura, arsimi, bujqësia, por mund të ketë edhe një ministri tjetër.

Sipas informacioneve jozyrtare, Azir Aliu nga koalicioni VLEN  largohet nga Ministria e Shëndetësisë. Cvetan Tripunovski  largohet nga Ministria e Bujqësisë, dhe vendin e tij do ta zë Borçe Serafimovski nga ZNAM. Ndërsa përmenden edhe largimet e ministrit të Drejtësisë së ZNAM-it, Igor Filkov, të ministres së Arsimit Vesna Janevska dhe të ministrit të Kulturës Zoran Lutkov. Ndërsa pritet që nga posti i ministrit të Politikës Sociale të largohet edhe Fatmir Limani. Përveç ministrave, është paralajmëruar edhe ndryshime të posteve të drejtorëve.

Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se për të hënën e kanë caktuar takimin e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së dhe pas saj do të dihen detajet e rikonstruimit.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING