(VIDEO) Vazhdojnë reagimet për kthimin e emrave jugosllavë në Tetovë

(VIDEO) Vazhdojnë reagimet për kthimin e emrave jugosllavë në Tetovë

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar vendimin e vitit 2007-të, për emërtimin e rrugëve në Komunën e Tetovës vazhon të përplasë partitë politike shqiptare. Opozitarja BDI edhe sot ka reaguar duke thënë se Tetova e shqiptarëve nuk do të bëhet sërish Tetova e Marshall Titos.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim deklarojnë se arsyetimet e dhëna për të relativizuar vendimin për ndryshimin e emërtimeve janë të papranueshme dhe përfaqësojnë një përpjekje për të rikthyer simbolika të së kaluarës jugosllave në Tetovë

BDI

Dikush mund të ketë nostalgji për Josip Broz Titon dhe kjo është çështje bindjesh personale, por nostalgjitë e tilla nuk mund të imponohen në hapësirën publike përmes rikthimit të emërtimeve që qytetarët i kanë lënë pas prej vitesh. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë kush heshti, kush u pajtua dhe kush kontribuoi që të vihet në shënjestër identiteti i Tetovës”.

Reagim për rikthimin e emrave të vjetër në rrugët e Tetovës ka pasur edhe kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, i cili vlerëson se VLEN duhet të gjejë një mënyrë tjetër për të punuar me maqedonasit sepse sipas tij, forma aktuale është e gabuar. Thaçi deklaron se çështja e rrugëve është maja e një pushteti manipulativ. Ky veprim i Gjykatës Kushtetuese ka provokuar edhe reagimin e partive tjera opozitare.

Ndërkaq, nga VLEN duke komentuar vendimin e Gjykatës thonë se ky institucion që merr vendime të tilla është dorë e zgjatur e opozitës dhe thonë se emrat e vendosur nga ish pushteti asnjëherë nuk janë formalizuar dhe nuk janë përdorur zyrtarisht nga institucionet.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING