Rikonstruimi i Qeverisë, Limani: Ekipin e formon kryeministri, ai do të vendosë
Ndonëse dje përfaqësues të VLEN-it janë takuar me kryeministrin Mickoski për të biseduar lidhur me rikonstruimin dhe ndryshimet e mundshme në Qeveri, Ministri, Fatmir Limani, nga i cili VLEN veçmë ka hequr dorë edhe publikisht edhe pse ishte në një ngjarje dhe krah kryeministrit, thotë se me të nuk ka biseduar nëse do të jetë ose jo ministër pas rikonstruimit, raporton SHENJA.
Duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Limani tha se është mandatari ai që vendos se kush do të jetë në pozitat ministrore dhe është pikërisht ai që e krijon ekipin. Limani deklaroi se është i vetëdijshëm se sikurse jeta, edhe pozitat nuk janë të përjetshme por, tha se për të më të rëndësishme janë veprat që do të lihen prapa edhe nëse një dit nuk do të jetë ministër.
FATMIR LIMANI – MINISTËR
“Ishim pjesë e ekipit të VLEN-it kur duhej të shkonin në histori ata që na sollën në këto pikë. U bëmë pjesë e Qeverisë për t’ia lehtësuar punën mandatarit dhe do të qëndrojmë deri në fund në këto pozita, deri në momentin kur do të vijnë mundësi të reja. Nuk jemi këtu për të qenë barrë për dikë, por për të ndihmuar dhe lehtësuar proceset, në mënyrë që të ndërtohen projekte të tilla, që promovuam sot. Sa i përket ndryshimeve, nuk kam folur dhe nuk do të flas për këtë temë, sepse ne e dimë se edhe në Federatën e Futbollit ka selektor që e krijon ekipin e vet, dhe edhe këtu kemi një mandatar që e formon ekipin e vet”, deklaroi Limani.

