Ligji për përfaqësimit të drejtë, Rexhepi: Ka shumë mangësi dhe është hartuar nga një profesoreshë që shqiptarët dëshiron t’i paraqesë pakicë
Debati mes Sekretarit Organizativ të Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Nebi Rexhepi, dhe përfaqësuesit të VLEN-it, Driton Sulejmani, në emisionin Debat në Shenja u fokusua edhe te propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe çështja e punësimeve në administratë.
Rexhepi kritikoi ashpër përmbajtjen e propozim-ligjit, duke pretenduar se ai nuk ofron mekanizma të mjaftueshëm për garantimin e përfaqësimit etnik në institucionet shtetërore.
“Në propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë nuk ka një nen ku parashihet identifikimi i përkatësisë etnike, nuk ka masa nëse ligji nuk zbatohet dhe nuk ka kuota”, deklaroi Rexhepi.
Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje procesin e hartimit të ligjit, duke thënë se dokumenti është përgatitur nga një profesoreshë e cila, ka shprehur publikisht qëndrime që minimizojnë pozitën e shqiptarëve në shtet.
Nga ana tjetër, Sulejmani mbrojti politikat e qeverisë, duke theksuar se vetëm gjatë vitit 2025 janë realizuar mijëra avancime dhe punësime.
“2.500 avancime dhe punësime vetëm në vitin 2025”, deklaroi ai.
Rexhepi kundërshtoi këtë pretendim, duke thënë se nuk ka njohuri për asnjë punësim të rregullt në institucione që është finalizuar me vendim të përhershëm pune, ndërsa pranoi se ka pasur angazhime me kontrata të përkohshme.
“Unë nuk di për një punësim të vetëm që është punësuar në një institucion dhe ka marrë vendim. Me kontrata të përkohshme po”, tha Rexhepi, duke shtuar se disponon raste dhe të dhëna konkrete.
Ai rikujtoi gjithashtu periudhën e qeverisjes së BDI-së, duke theksuar se partia kishte gjetur administratën publike me vetëm 0.4 përqind shqiptarë të punësuar dhe e kishte lënë atë me 24 përqind përfaqësim.
Në përgjigje, Sulejmani tha se qeveria aktuale ka sistemuar edhe persona që, sipas tij, ishin lënë me kontrata të përkohshme nga qeverisjet e mëparshme.
“Kemi punësuar edhe aktivistë të tyre që i kanë lënë me kontrata”, deklaroi Sulejmani.

