(VIDEO) PE miratoi raportin për Maqedoninë, ndryshimet kushtetuese mbeten kyçe
Parlamenti Evropian në seancën e sotme plenare në Strasburg miratoi Raportin për progresin e Maqedonisë për vitin 2025, me të cilin vlerësohet gjendja në disa fusha që lidhen me procesin e integrimit evropian të vendit.
Rezoluta u mbështet nga 411 eurodeputetë, ndërsa 120 votuan kundër. Një nga pikat më të diskutuara para votimit ishte referimi ndaj Protokollit të Dytë të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, i cili në fund mbeti pjesë përbërëse e raportit.
Eurodeputetët nuk e mbështetën amendamentin e propozuar nga raportuesi Thomas Ëaitz për fshirjen e paragrafit 73. Për ruajtjen e tekstit ekzistues votuan 338 deputetë, ndërsa 126 ishin pro heqjes së tij.
Në paragrafin e diskutueshëm theksohet nevoja që Komisioni i Përbashkët Multidisiplinar i Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore të arrijë rezultate konkrete, bazuar në burime dhe dokumente historike, në përputhje me detyrimet e marra me Protokollin e Dytë. Në tekst përmendet gjithashtu edhe koncepti i historisë së përbashkët.
Raporti rithekson rëndësinë e zbatimit të ndryshimeve kushtetuese si parakusht për vazhdimin e procesit të anëtarësimit. Parlamenti Evropian konfirmon qëndrimin se konferenca e ardhshme ndërqeveritare ndërmjet Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian do të mund të mbahet pasi të përmbushen detyrimet e marra.
Dokumenti trajton edhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike, duke dënuar përpjekjet për shkatërrimin ose ndryshimin e monumenteve dhe artefakteve historike. Njëkohësisht kërkohet më shumë transparencë dhe hapja e materialeve arkivore të ish-shërbimeve jugosllave të sigurisë.
Përveç vërejtjeve për progres të kufizuar në disa fusha, raporti thekson rëndësinë strategjike të Korridorit 8, ndërtimin e lidhjes hekurudhore me Bullgarinë dhe nevojën për respektim të vazhdueshëm të standardeve evropiane dhe vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Para votimit, kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje eurodeputetëve të mbështesnin ndryshimet sipas të cilave çështjet dypalëshe nuk do të ishin pjesë e procesit evropian të anëtarësimit, duke theksuar se Maqedonia meriton trajtim të drejtë dhe parimor në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian. /SHENJA/

