Parlamenti Evropian miraton raportin për Kosovën

Parlamenti Evropian miraton raportin për Kosovën

Parlamenti Evropian ka miratuar të mërkurën në Bruksel raportin për Kosovën, duke riafirmuar mbështetjen për rrugën evropiane të vendit dhe duke përsëritur thirrjen që pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë pa vonesa të mëtejshme.

Raporti u votua me 412 vota për, 174 kundër dhe 58 abstenime, bëri të ditur raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, përmes një postimi në rrjetin social “X”.

“Vazhdimi i reformave dhe progresi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mbeten thelbësore në rrugën evropiane të Kosovës”, ka shkruar Terras.

Në dokumentin e miratuar, eurodeputetët mbështesin aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, dhe i bëjnë thirrje Këshillit të BE-së që të ftojë Komisionin Evropian të dërgojë pyetësorin për anëtarësim, si dhe të ecë përpara me procedurat që do t’i hapnin rrugë dhënies së statusit të vendit kandidat, sapo të përmbushen kriteret përkatëse.

Po ashtu, raporti u bën thirrje pesë vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që të ndërmarrin këtë hap, në mënyrë që vendi të trajtohet në baza të barabarta me shtetet e tjera aspirante për anëtarësim.

Megjithatë, raporti shpreh shqetësim për situatën e brendshme politike në Kosovë. Eurodeputetët vlerësojnë se viti 2025 është karakterizuar nga ngërçi politik dhe polarizimi, ndërsa paralajmërojnë se vazhdimi i bllokadës institucionale pas zgjedhjeve të 7 qershorit mund të ndikojë negativisht në proceset integruese dhe në përfitimin e fondeve evropiane.

Sipas raportit, ekziston rreziku që Kosova të humbë mjete të konsiderueshme financiare nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, nëse nuk arrin t’i përmbushë obligimet dhe kriteret e parapara brenda afateve të përcaktuara.

Në të njëjtën kohë, Parlamenti Evropian ka vlerësuar se zgjedhjet e vitit 2025 janë zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe ka përshëndetur formimin e qeverisë, ndonëse ka shprehur keqardhje për mungesën e kompromisit politik për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Raporti rikujton gjithashtu mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Po ashtu, eurodeputetët kanë mirëpritur deklaratën për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke vlerësuar se ajo kontribuon në forcimin e kapaciteteve për përballimin e kërcënimeve hibride të sigurisë në rajon.

Image

MARKETING