Mickoski për zjarrvënësin para Ambasadës bullgare: I janë konfiskuar telefonat, të shohim me kë ka komunikuar
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi se po vazhdon marrja në pyetje e personit të dyshuar për zjarrvënien e dy automjeteve pranë Ambasadës së Bullgarisë në Shkup.
Sipas Mickoskit, organet kompetente kanë konfiskuar pajisjet e komunikimit të të dyshuarit dhe po hetojnë kontaktet e tij të mundshme gjatë periudhës së ngjarjes.
“Marrja në pyetje është duke vazhduar. Pajisjet e komunikimit janë konfiskuar, le të shohim nëse ai mund të ketë pasur komunikim gjatë kësaj periudhe dhe me kë, cila është përmbajtja e atij komunikimi. Nuk do të nxitohesha të bëja ndonjë kualifikim nga fqinji ynë lindor”, deklaroi kryeministri, duke komentuar reagimet e partive politike dhe institucioneve shtetërore në Bullgari pas incidentit.
Ai dënoi sërish fuqishëm ngjarjen dhe theksoi se pret që hetimet të zbardhin plotësisht të gjitha rrethanat dhe motivet që qëndrojnë pas rastit.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka hapur procedurë ndaj një 44-vjeçari nga Shkupi, i cili dyshohet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

