Emiratet e Bashkuara Arabe synojnë të eliminojnë varësinë nga Ngushtica e Hormuzit
Emiratet e Bashkuara Arabe po punojnë për një plan madhor për të eliminuar varësinë e tyre nga Ngushtica e Hormuzit, pasi mbyllja e fundit e kësaj rruge ujore strategjike nxori në pah cenueshmërinë e tregtisë dhe rrjedhave energjetike të vendeve të Gjirit, transmeton Anadolu.
Sipas një raporti të Bloomberg, ministri i Shtetit për Tregtinë e Jashtme i Emirateve të Bashkuara Arabe, Thani Al Zeyoudi, tha se vendi po lëviz drejt “varësisë zero nga Hormuzi”.
Plani vjen në një kohë kur tregjet globale presin rihapjen e plotë të ngushticës pas marrëveshjes së përkohshme të paqes mes Iranit dhe SHBA-së.
Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalonte rreth një e pesta e dërgesave globale të naftës bruto dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) para luftës, është përballur me ndërprerje që nga fillimi i sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit në fund të shkurtit.
Sipas raportit, në qendër të planit të Emirateve të Bashkuara Arabe është zgjerimi i madh i porteve lindore Dibba, Fujairah dhe Khor Fakkan, të vendosura jashtë ngushticës në bregdetin e Gjirit të Omanit.
Vendi gjithashtu planifikon ndërtimin e të paktën një porti të ri në të njëjtin bregdet, së bashku me tubacione të reja, si dhe rrjete hekurudhore dhe rrugore për të lidhur portet lindore me fushat e naftës dhe gazit dhe me infrastrukturën energjetike.
Emiratet e Bashkuara Arabe tashmë përdorin një tubacion ekzistues me kapacitet prej 1.5 milionë fuçi në ditë për të transportuar naftën bruto drejt Fujairahut, gjë që u lejon të anashkalojnë pjesërisht Ngushticën e Hormuzit.
Në mesin e muajit maj, ato njoftuan përshpejtimin e ndërtimit të një tubacioni të dytë për të dyfishuar kapacitetin e eksporteve të naftës përmes Fujairahut deri në vitin 2027.
Vendi po studion gjithashtu ndërtimin e një tubacioni të tretë për naftën dhe alternativa të tjera për të mbështetur eksportet e produkteve petrokimike, LNG-së dhe produkteve të tjera energjetike.
Al Zeyoudi nuk dha detaje për koston apo afatin kohor, duke theksuar se projektet janë ende në fazën e studimit të fizibilitetit, megjithëse zgjerimi i infrastrukturës pritet të kërkojë investime prej shumë miliarda dollarësh.
Reduktimi i varësisë nga Ngushtica e Hormuzit mbetet sfidues, pasi devijimi i eksporteve të LNG-së, aluminit dhe mallrave të tjera nga portet e Gjirit është më i ndërlikuar sesa ri-drejtimi i naftës bruto dhe produkteve të rafinuara.
Emiratet e Bashkuara Arabe varen gjithashtu në masë të madhe nga portet brenda Gjirit, veçanërisht nga porti Jebel Ali i Dubait, një nga qendrat më të mëdha të kontejnerëve në botë, për importet dhe rishpërndarjen e mallrave.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë vazhdimisht thirrje për qarkullim të pandërprerë nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se kjo rrugë ujore është jetike për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin ekonomik rajonal dhe global.
Plani sinjalizon një zhvendosje më të gjerë strategjike drejt zvogëlimit të ekspozimit ndaj rreziqeve gjeopolitike në Gjirin Persik dhe forcimit të rrugëve alternative të tregtisë dhe energjisë jashtë ngushticës.

