Franca e nis me fitore Botërorin 2026, Mbappé shkëlqen me dy gola ndaj Senegalit

Franca e nis me fitore Botërorin 2026, Mbappé shkëlqen me dy gola ndaj Senegalit

Kombëtarja e Francës ka siguruar tri pikët e para në Kupën e Botës 2026, pasi mposhti Senegalin me rezultat 3-1 në ndeshjen hapëse të Grupit I.

MARKETING

Description of image

Pas një pjese të parë të ekuilibruar dhe pa gola, ku të dyja skuadrat krijuan pak raste të rrezikshme, francezët ngritën ndjeshëm ritmin në pjesën e dytë dhe morën kontrollin e plotë të lojës.

Goli i parë erdhi në minutën e 66-të. Pas një aksioni të bukur kolektiv, Michael Olise shërbeu në mënyrë perfekte për Kylian Mbappé, i cili brenda zonës finalizoi me saktësi për avantazhin 1-0.

Senegali mendoi se kishte reaguar menjëherë, kur Nicolas Jackson dërgoi topin në rrjetë vetëm dy minuta më vonë, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Franca vazhdoi të dominojë dhe në minutën e 82-të dyfishoi epërsinë. Adrien Rabiot asistoi për Bradley Barcola, i cili kaloi me qetësi portierin Edouard Mendy dhe realizoi për 2-0.

Kur gjithçka dukej e mbyllur, Senegali riktheu emocionet në minutën e pestë shtesë. Ibrahim Mbaye shënoi pas një aksioni individual të shkëlqyer, duke ngushtuar rezultatin në 2-1 dhe duke rihapur përkohësisht ndeshjen.

Megjithatë, shpresat e afrikanëve zgjatën vetëm pak çaste. Në minutën e 90+6, Mbappé vulosi fitoren e Francës me një supergol nga rreth 25 metra, duke lëshuar një goditje të fuqishme që përfundoi në rrjetë dhe la pa asnjë mundësi reagimi Mendy-n.

Me dy gola të shënuar, sulmuesi francez ishte padyshim figura kryesore e takimit dhe dha një sinjal të qartë për ambiciet e tij dhe të Francës në këtë Botëror.

Falë kësaj fitoreje, Franca merr kryesimin e Grupit I dhe konfirmon statusin e një prej favoriteve kryesore për të fituar trofeun.

MARKETING