VLEN formalizon themelimin si subjekt politik në Tetovë

VLEN formalizon themelimin si subjekt politik në Tetovë

Në një ngjarje të mbajtur në Pallatin e Kulturës në Tetovë, u zyrtarizua themelimi i VLEN-it si subjekt politik, në praninë e drejtuesve të koalicionit dhe një numri të madh mbështetësish.

Gjatë Kuvendit themelues, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, prezantoi disa nga projektet kryesore që, sipas tij, janë realizuar gjatë dy viteve të fundit në kuadër të pjesëmarrjes së VLEN-it në qeveri. Ai veçoi investimin prej mbi 40 milionë eurosh në kampusin e Universiteti Nënë Tereza në Shkup, duke e cilësuar atë si një investim strategjik në arsim, rini dhe të ardhmen e vendit.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari tjetër i VLEN-it, Bilall Kasami, theksoi se bashkimi i pesë subjekteve politike në një parti të vetme përbën një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të faktorit politik shqiptar. Sipas tij, ky proces krijon mundësi për një përfaqësim më efikas dhe më të fuqishëm të qytetarëve.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, bëri të ditur se themelimi formal i VLEN-it u zhvillua në një atmosferë entuziazmi dhe energjie pozitive. Ai theksoi se ky moment shënon një kapitull të ri politik, i realizuar së bashku me bashkëkryetarët Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, si dhe nënkryetarët Mimoza Musa dhe Bekim Qoku.

MARKETING