Trump: Ngushtica e Hormuzit deri të premten do të rihapet plotësisht dhe në mënyrë të përhershme
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit deri të premten do të rihapet plotësisht dhe do të mbetet e hapur për transportin detar pa tarifa në mënyrë të përhershme, transmeton Anadolu.
Duke folur para gazetarëve gjatë një takimi në Francë me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Trump tha se Ngushticën e Hormuzit “do ta kemi plotësisht të hapur deri të premten”.
“Anijet kanë filluar të lëvizin mirë, nafta ka filluar të rrjedhë dhe çmimet po bien me shpejtësi. Tregu i aksioneve po rritet me shpejtësi, po ndodhin shumë gjëra të mira dhe, më e rëndësishmja, Irani nuk do të ketë armë bërthamore”, tha Trump.
Ai tha se kjo rrugë ujore “do të jetë e hapur pa tarifa dhe do të mbetet pa tarifa edhe përtej 60 ditëve”, duke shtuar: “Kur të hapet përgjithmonë, do të jetë pa tarifa”.
Presidenti amerikan premtoi se do të publikojë për mediat dokumentin e marrëveshjes së paqes të arritur me Iranin “brenda disa ditësh”.
“Jo vetëm që do ta publikoj, por ndoshta do të mbaj edhe një konferencë për media dhe do t’jua lexoj fjalë për fjalë, në mënyrë që mediat ta pasqyrojnë me saktësi, sepse është një dokument shumë i rëndësishëm”, tha ai.
Trump gjithashtu tha se synon ta dërgojë marrëveshjen me Iranin në Kongresin e SHBA-së për shqyrtim.
“Më pëlqen kjo ide. Ju lutem, dërgojeni në Kongres”, tha ai.
Ai shtoi se, nëse marrëveshja nuk miratohet, “atëherë le t’i lëmë ata (palën iraniane) të kenë një armë bërthamore”, duke shtuar se demokratët “do të çmenden”.
Presidenti amerikan gjithashtu deklaroi se largimi i uraniumit të pasuruar të Iranit pas sulmeve amerikane ndaj vendit do të ishte “një gërmim shumë i vështirë”, duke shtuar se vetëm SHBA-ja dhe “ndoshta Kina” kanë kapacitetin për ta bërë këtë.

