(VIDEO) Kompania ndërkombëtare “Cavo Automotive” do të investojë në Maqedoninë e Veriut
Kompania “Cavo Automotive” do të realizojë një investim të ri në Zonën e Lirë Ekonomike dhe Industriale në Tetovë. Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka përshëndetur këtë investim, duke e vlerësuar atë si një dëshmi të qartë të besimit të investitorëve të huaj në ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Durmishi tha se investimi kap vlerën prej 21 milionë eurosh dhe pritet të krijojë mbi 500 vende të reja pune, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të rajonit të Pollogut dhe të gjithë vendit.
BESAR DURMISHI, MINISTËRI EKONOMISË DHE PUNËS
“Investim ky që paraqet edhe një tjetër konfirmim se vendi jonë bëhet një destinacion gjithnjë e më tërheqës për kompanitë që sjellin teknologji bashkëkohore, kapacitete të reja prodhuese dhe vende cilësore pune. Është veçanërishtë e rëndësishme që ky investim realizohet në zonën Industriale në Tetovë- zona e vetme zhvillimore teknologjike industriale në vend që është nën kompetenca të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës”.
Ndërkohë, kryeministri theksoi se kjo kompani është multinacionale me mbi katër dekada përvojë në industrinë automobilistike, e specializuar në prodhimin e sistemeve të sigurisë, kabllove komanduese dhe mekanizmave për prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve në botë. Aktualisht, kompania operon në Turqi dhe Evropën Qendrore, duke furnizuar partnerë të njohur të industrisë automobilistike. Ai tha se eksporti vjetor pritet të arrijë deri në 45 milionë euro. Sipas tij, ky investim nuk përfaqëson vetëm shifra ekonomike, por edhe besim në institucionet, politikat ekonomike dhe stabilitetin e shtetit.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Çdo investim të ri e shohim si pjesë të një strategjie më të gjerë. Ne nuk po ndërtojmë një ekonomi të bazuar në huamarrje dhe truke statistikore. Po ndërtojmë një ekonomi që mbështetet në prodhim, investime, eksport dhe rritje reale ekonomike. Dhe për këtë arsye, investimi i sotëm i “Cavo Otomotive” është edhe një tregues se po lëvizim në drejtimin e duhur. Ky është një mesazh për çdo të ri që mendon për të ardhmen e tij. Ky është një mesazh për çdo punëtor, inxhinier, teknik dhe sipërmarrës. Ky është një mesazh se shteti po bëhet sërish një vend ku ia vlen të investosh, të punosh dhe të ndërtosh të ardhmen”.
Në këtë konferencëpër media foli edhe drejtori i Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale, Goce Dimovski, i cili deklaroi se bëhet fjalë për një projekt të planifikuar me kujdes dhe me perspektivë afatgjatë, i cili do të gjenerojë efekte gjithnjë e më të mëdha ekonomike në vitet e ardhshme.
GOCE DIMOVSKI, DREJTOR I DREJTËRISË PËR ZONAT ZHVILLIMORE TEKNOLOGJIKE
“Cavo Automotive” është një korporatë multinacionale që operon në industrinë e pajisjeve automobilistike, duke projektuar dhe prodhuar sisteme sigurie, mekanizma të ndryshëm dhe kabllo operative për prodhuesit kryesorë të automjeteve. Përveç Turqisë, kompania është e pranishme edhe në Kanada, Gjermani dhe Sllovaki”.
Ai tha se institucioni që drejton do të vazhdojë të mbështesë investitorët ekzistues dhe të tërheqë investime të reja, me qëllim që Maqedonia e Veriut të pozicionohet si një destinacion i njohur për investimet e huaja direkte dhe si një vend ku krijohen mundësi të reja për zhvillim ekonomik.
Samir Mustafa /SHENJA/

