(VIDEO) Aliu: Propozim-ligji për transplantimin e organeve në procedure finale në Qeveri
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot mbajti një fjalim në forumin kushtuar dhurimit të organeve, të organizuar nga Qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe Koordinatorja Kombëtare e Transplanteve, si pjesë e fushatës kombëtare për të rritur ndërgjegjësimin rreth dhurimit dhe transplantimit të organeve. Ai njoftoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime mjekimi tashmë ndodhet në procedurën përfundimtare qeveritare.
Azir Aliu, Ministër i Shëndetësisë
“Çdo qytetar madhor, gjatë vizitës te mjeku i tij amë, do të duhet të deklarohet nëse dëshiron ose jo që pas vdekjes të jetë dhurues organesh. Deklarimi do të kryhet përmes një moduli të ri digjital në “Termini im”, në mënyrë të sigurt dhe me verifikim të dyfishtë. Çdo qytetar do të ketë mundësinë që në çdo kohë ta ndryshojë ose ta tërheqë vendimin e tij”.
Ministri Aliu deklaroi se kjo është e rëndësishme nga dy aspekte, pasi do ta respektojmë lirinë personale dhe vullnetin e çdo njeriu dhe shteti do të dijë sa qytetarë dëshirojnë të jenë dhurues organesh. “Kur sistemi të fillojë të zbatohet, unë do të jem i pari që do të regjistrohem si dhurues organesh”, deklaroi Aliu. Edhe kryeministri Hristijan Mickoski tha se Qeveria do të vazhdojë të investojë në sistemin e kujdesit shëndetësor, në pajisjet moderne mjekësore, në teknologjitë e reja dhe në trajnimin e stafit mjekësor, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të mjekësisë së transplantimit në vend.
Anida Murati /SHENJA/

