Haxhiu në Sofje: Jemi të gatshëm për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat dhe është e gatshme për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Haxhiu në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), të mbajtur në Sofje të Bullgarisë, në fjalimin e saj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar rolin e SEECP-së si një platformë kyçe për stabilitetin e rajonit.
Haxhiu dënoi ashpër agresionin rus kundër Ukrainës dhe nënvizoi se pasojat e tij po prekin sigurinë në gjithë Evropën, përfshirë edhe Evropën Juglindore.
Ajo riafirmoi orientimin e plotë të Kosovës drejt BE-së dhe përkushtimin për reforma, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe rritje të qëndrueshme, duke theksuar progresin konkret të Kosovës në indekse ndërkombëtare dhe në procesin e integrimit evropian.
Në këtë kontekst, U.D. Presidentja kërkoi avancim të mëtejshëm të procesit të integrimit, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, duke theksuar se procesi duhet të jetë meritokratik dhe i bazuar në standard.
“Mbi 90 për qind e qytetarëve tanë e mbështesin anëtarësimin në BE një nga nivelet më të larta të mbështetjes në rajon. Ky përparim është konkret, i matshëm dhe duhet të njihet. Prandaj kjo duhet të çojë në një vendim për statusin e vendit kandidat, dhe ne jemi të gatshëm ta nisim punën për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, ka pohuar Haxhiu.
Tutje ajo vuri theksin në rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal, projekteve infrastrukturore strategjike, zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese dhe respektimit të barabartë të të gjitha vendeve të rajonit në organizatat rajonale.
U.D. Presidentja Haxhiu vlerësoi SEECP-në si një mekanizëm të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal dhe ritheksoi gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në forcimin e stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit.

