Petkoviq: Kurti dhe Rashiqi po ua marrin mandatet serbëve në Kosovë
Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, e cila është e ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviq, ka thënë se është në zhvillim e sipër një “uzurpim dhe vjedhje e mandateve nga komuniteti serb”, duke pretenduar se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe lideri i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, Nenad Rashiq, “po e sigurojnë mbështetjen përmes votave të shqiptarëve”.
Petkoviqi ka pretenduar se është në zhvillim e sipër një “uzurpim dhe vjedhje e mandateve nga populli serb”, dhe ka shtuar se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe lideri i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, Nenad Rashiq, “po e sigurojnë mbështetjen përmes votave të shqiptarëve”, transmeton Paparaci.
“A mund ta imagjinoni një situatë ku shqiptarët nga Podujeva, Gjakova dhe Gllogoci votojnë për Rashiqin që ai gjoja të përfaqësojë interesat serbe? Kjo është absolutisht e pamundur”, ka thënë Petkoviq, sipas njoftimit të kësaj zyre.
Ai ka thënë se Lista Serbe ka fituar të gjitha dhjetë mandatet e rezervuara për serbët, bazuar në votat e marra në mjediset me shumicë serbe, dhe ka pretenduar se ajo është “përfaqësuesi i vetëm legjitim i komunitetit serb në Kosovë”.
Petkoviq pretendon se numri i votave shqiptare për Rashiqin po rritet nga një cikël zgjedhor në tjetrin dhe se, sipas tij, “në këtë mënyrë po humbet kuptimi i sistemit të vendeve të garantuara për komunitetin serb”.
“Jemi ankuar në Bashkimi Evropian, te organizatat ndërkombëtare dhe te vendet e QUINT-it për të treguar përmasat e vjedhjes së këtij mandati”, ka thënë Petkoviq.
Ai gjithashtu ka thënë se zgjedhjet nuk janë mbajtur në një atmosferë demokratike, duke pretenduar se “autoritetet në Prishtinë kanë ushtruar presion ndaj serbëve dhe janë përpjekur të zvogëlojnë mbështetjen për Listën Serbe”.

