(VIDEO) Kuzeska: Platforma “shteti yt, shansi yt”, synon t’i mbajë të rinjtë në vend
Zëdhënësja dhe anëtarja e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, ka njoftuar se me “Iniciativën e Shkupit” dhe platformën “Shteti yt, mundësia jote”, LSDM-ja po nis një etapë të re të veprimit politik. Kuzeska tha se kjo bazohet në vlerat e socialdemokracisë, në luftën për një standard më të mirë jetese, në luftën kundër korrupsionit dhe sipas saj, për një të ardhme evropiane të Maqedonisë së Veriut.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Platforma programore ‘Shteti yt, mundësia jote’, në formën e saj përfundimtare, është e qasshme dhe e publikuar për publikun. Kjo është vizioni i LSDM-së për një shtet modern, të drejtë dhe evropian, ku institucionet punojnë për qytetarët, puna vlerësohet dhe të rinjtë kanë arsye të qëndrojnë dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendlindje”.
Sipas Kuzeskës, një vend qendror në platformë zë lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i një sistemi ku institucionet funksionojnë pa ndikim politik dhe sic tha ajo, ku ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. Ajo shtoi se platforma ofron zgjidhje edhe për sfidat ekonomike me të cilat përballen qytetarët. Kuzeska sqaroi se, përmes “Iniciativës së Shkupit”, LSDM ka konfirmuar rolin e saj si faktor bashkues i lëvizjes më të gjerë progresive në rajon dhe në Evropë, e cila kundërshton korrupsionin, autoritarizmin dhe politikat anti-evropiane.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Evropa nuk është një qëllim politik abstrakt, por një jetë më e mirë në vendin tonë, paga më të larta, sundim i ligjit dhe më shumë mundësi për çdo njeri. Maqedonia nuk duhet të mbetet e bllokuar në nacionalizëm, populizëm dhe manipulime politike që e largojnë nga e ardhmja evropiane.”
Kuzeska po ashtu theksoi se, Fronti për të Vërtetën dhe Drejtësinë nuk është një projekt partiak, por sipas saj një lëvizje e gjerë shoqërore dhe mbipartiake, e hapur për të gjithë qytetarët, organizatat, intelektualët, profesionistët, sindikatat dhe aktorët e tjerë shoqërorë.
Zebushe Ramadani /SHENJA/

