Policia jep detaje për aksidentin ku humbi jetën futbollisti 22-vjeçar: U lënduan edhe dy persona të tjerë

Policia jep detaje për aksidentin ku humbi jetën futbollisti 22-vjeçar: U lënduan edhe dy persona të tjerë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksidentin e rëndë që ka ndodhur në rrugën Mitrovicë–Prishtinë, ku si pasojë ka humbur jetën futbollisti nga Vushtrria, Fatjon Bunjaku, 22-vjeçar.

Sipas policisë, vetaksidenti ka ndodhur në zonën e fshatit Maxhunaj, ku përveç viktimës janë lënduar edhe dy persona të tjerë.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se rreth orës 00:55 është raportuar aksidenti në segmentin rrugor Mitrovicë–Prishtinë, ku ka qenë e përfshirë një veturë dhe si pasojë tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Më tej, policia ka bërë të ditur se rreth orës 07:50 është pranuar njoftimi nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) se drejtuesi i automjetit, viktima 22-vjeçare, ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta shpëtuar.
“Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.

MARKETING