Bahreini dhe Kuvajti dënojnë sulmet iraniane ndaj territoreve të tyre

Bahreini dhe Kuvajti dënojnë sulmet iraniane ndaj territoreve të tyre

Zyrtarët e Bahreinit dhe Kuvajtit dënuan të shtunën sulmet iraniane që goditën territoret e tyre më herët gjatë ditës, transmeton Anadolu.

Sulmet iraniane ndaj dy vendeve të Gjirit përbëjnë “shkelje flagrante të sovranitetit të dy vendeve” dhe “kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin” e rajonit të Gjirit, tha Ministria e Jashtme e Bahreinit, sipas Agjencisë së Lajmeve të Bahreinit.

Sipas ministrisë, raketat u interceptuan me sukses.

Në një deklaratë, ministria akuzoi gjithashtu Iranin për shkeljen e Rezolutës 2817 (2026) të Këshillit të Sigurimit i OKB-së, e cila dënon sulmet iraniane dhe çdo përpjekje për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit ose për të penguar lundrimin ndërkombëtar detar.

Manama i bëri thirrje Teheranit që të ndalojë menjëherë sulmet “e pajustifikuara”, të rihapë plotësisht Ngushticën e Hormuzit pa kufizime, të zbulojë vendndodhjet e minave detare dhe të lehtësojë largimin e sigurt të më shumë se 20.000 marinarëve të bllokuar në rajon.

Ministria theksoi se durimi i Bahreinit “nuk nënkupton dobësi”, duke nënvizuar se mbrojtja e sovranitetit të tij është vijë e kuqe dhe premtoi se do të marrë të gjitha masat legjitime për të mbrojtur sigurinë e vendit.

Në një deklaratë në platformën sociale amerikane X, Forcat e Mbrojtjes së Bahreinit thanë se kanë interceptuar dhe shkatërruar me sukses tri raketa iraniane dhe “një numër dronësh” gjatë sulmeve të së shtunës.

Në një deklaratë të veçantë në X, Ministria e Jashtme e Kuvajtit tha se sulmet e fundit “përfaqësojnë një përshkallëzim shumë të rrezikshëm dhe tregojnë një qasje armiqësore ndaj vendeve fqinje, duke minuar mundësitë për uljen e tensioneve dhe duke e shtyrë rajonin drejt tensioneve më të mëdha”.

Ministria shprehu gjithashtu “solidaritetin e plotë” të Kuvajtit me Bahreinin.

Më herët gjatë ditës, ushtria e Kuvajtit njoftoi se forcat e saj të mbrojtjes ajrore po përballeshin me “kërcënime armiqësore nga raketa dhe dronë”.

Tensionet rajonale janë rritur pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kryen sulme ajrore ndaj Iranit në fund të muajit shkurt, duke shkaktuar një cikël sulmesh hakmarrëse që kanë zgjeruar paqëndrueshmërinë në rajon.

Më vonë hyri në fuqi një armëpushim, megjithëse përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë kanë vazhduar.

MARKETING