Asambleja e studentëve në Universitetin e Vjenës voton për bojkot akademik të universiteteve izraelite
Një asamble studentore në Universitetin e Vjenës, e organizuar në mënyrë të pavarur, votoi me shumicë të madhe në favor të një bojkoti akademik të institucioneve arsimore izraelite, sipas grupit aktivist “Universiteti i Vjenës për Palestinën”, i cili e publikoi rezultatin në mediat sociale, transmeton Anadolu.
Më herët, mbi 1.000 studentë të universitetit nënshkruan një peticion për thirrjen e një asambleje studentore “nga poshtë”, të cilën organizatorët e përshkruan si të parën e këtij lloji në Austri.
Rezoluta e studentëve drejtohet në mënyrë të qartë kundër partneritetit strategjik mes Universitetit të Vjenës dhe Universitetit Hebraik të Kudsit, i cili është në fuqi që nga viti 2015.
Mocioni kryesor i miratuar nga asambleja titullohej “Bojkot akademik në vend të bashkëpunimit në gjenocid”.
Nismëtarët akuzojnë universitetin partner në Kuds për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me ushtrinë izraelite.
Kërkesa të tjera të pjesëmarrësve përfshijnë vendosjen e një “klauzole civile” në universitet, që ndalon kërkimin ushtarak, si dhe tërheqjen e forcave të sigurisë dhe shërbimit austriak të inteligjencës së brendshme nga kampusi.
Sipas grupit “Universiteti i Vjenës për Palestinën”, rreth 400 studentë të kualifikuar morën pjesë në mbledhje.
Një nga sallat më të mëdha të ligjëratave të universitetit, Salla I në ndërtesën e Institutit të Ri, thuhet se ishte e mbushur përtej kapacitetit.
Në fillim të tubimit, shkrimtari nga Afrika e Jugut, Andrew Feinstein, i cili ka punuar për Kongresin Kombëtar Afrikan (ANC) gjatë kohës së Nelson Mandelës, mbajti një fjalim ku theksoi rëndësinë historike të ngjarjes.
Në fjalimin e tij, Feinstein gjithashtu theksoi rëndësinë historike të fushatës ndërkombëtare “Bojkoti, Shpronësimi dhe Sanksionet” (BDS).
Megjithatë, nga pikëpamja ligjore, votimi i asamblesë është simbolik dhe jo detyrues, pasi bëhet fjalë për një strukturë të pavarur studentore dhe jo për organ zyrtar të universitetit apo këshillin ligjor të studentëve.

