Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat do të miratohet me “Badenter të vogël”
Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive miratoi sot me 11 vota “për” dhe dy “kundër” propozimin që Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të miratohet me të ashtuquajturin “Badenter i vogël” ose Badenter i thjeshtë, përkatësisht me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe shumicën e votave të deputetëve që u përkasin bashkësive joshumicë.
Deputetët e Frontit Evropian dhe Lidhjes së Shqiptarëve kërkuan që ligji të miratohet me “Badenter të madh”, ose Badenter absolut, i cili kërkon shumicën e votave të të gjithë deputetëve që u përkasin bashkësive joshumicë, por propozimi i tyre nuk mori mbështetjen e shumicës.
Partitë opozitare shqiptare kritikuan zgjidhjen ligjore, duke theksuar se ajo nuk parashikon kuota dhe as mekanizma të qartë kontrolli për zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Sipas tyre, kjo mund të ketë pasoja afatgjata dhe cenon një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të Kushtetutës së vendit.
Qëndrim të ngjashëm shprehu edhe deputeti i komunitetit turk, Sali Murati, i cili vlerësoi se zgjidhja e propozuar nuk është e favorshme as për komunitetet e tjera etnike në vend.
Deputetët e Lidhjes së Shqiptarëve, Ilire Dauti dhe Ziadin Sela, kërkuan që në procedurë të shqyrtohet dhe të votohet propozim-ligji i tyre për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Nga ana tjetër, koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit VLEN, Bekim Qoku, kujtoi se edhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ishte miratuar me “Badenter të vogël” dhe se kjo nuk kishte shkaktuar kundërshtime në atë kohë. Ai tha se në listën e ligjeve që miratohen me mekanizmin Badenter janë rreth 115 ligje, shumica prej të cilave kalojnë me “Badenter të madh”.
Qoku sqaroi se para votimit të ligjit ishte vendosur që ai të kalojë në filtrin e Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, me qëllim që të dëgjohet qëndrimi i deputetëve të komuniteteve joshumicë.
“Badenteri i vogël” është një mekanizëm parlamentar që kërkon shumicën e votave të deputetëve të pranishëm që u përkasin bashkësive joshumicë për miratimin e ligjeve të caktuara.
Sipas propozuesve, qëllimi kryesor i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat është krijimi i një kornize të qartë, të saktë dhe të zbatueshme ligjore për realizimin e një prej parimeve themelore të rendit kushtetues – përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të qytetarëve nga të gjitha bashkësitë në organet shtetërore dhe institucionet publike.
Ligji synon të sigurojë zbatim të qëndrueshëm të këtij parimi përmes rregullave dhe mekanizmave të qartë, duke garantuar qasje të barabartë në punësim dhe avancim, si dhe procedura të drejta dhe transparente në sektorin publik. Njëkohësisht, synohet të arrihet një ekuilibër mes përfaqësimit të komuniteteve dhe nevojës për një administratë profesionale, efikase dhe politikisht neutrale.
Projektligji aktualisht ndodhet në lexim të parë dhe procedohet me procedurë të rregullt parlamentare. Sipas paralajmërimeve, para miratimit përfundimtar do të organizohet edhe debat publik.

