(VIDEO) Presidenti i Këshillit Evropian nuk do t’ia ndryshojë mendjen Mickoskit
Mosmarrëveshjet me Bullgarinë dhe zgjidhja e ngërçit të procesit eurointegrues pritet të jenë temat kyçe të vizitës së sotme të presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa në Shkup, në kuadër të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor. Costa do të pritet në takim nga kryeministri Mickoski, e më pas do të ketë takim midis delegacionit qeveritar dhe delegacionit të udhëhequr nga Costa. Mickoski duke komentuar e vizitës së zyrtarit evropian, tha se kjo nuk do të ndikojë në ndryshimin e pozicionit të qeverisë, duke theksuar se nuk është fer dhe është joserioze të ndërrohen qëndrimet menjëherë vetëm pse vjen një politikan evropian.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR I RMV-SË
“Nëse me të vërtetë kemi nevojë të flasim me Bashkimin Evropian, jemi të përgatitur të flasim, të fillojmë të flasim. Ja do të filloja nga këtu, atë që mund të bëjmë menjëherë, atë, si të them, atë që na bashkon, jo atë që na ndan. Dhe kjo është dialogu. Vlerësoj që në një shoqëri demokratike duhet të ketë dialog. Pastaj vlerësoj që duhet t’i përkushtohemi zbatimit në pjesën e Agjendës së Reformave, ku jemi kryesuesit e vërtetë, dhe jo vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor”.
Duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese, propozimit francez dhe protokolleve, të cilat, siç tha ai, i kanë para tyre si një “trashëgimi” nga qeveria e mëparshme, Mickoski tha se tani është e nevojshme të shihet se çfarë ka para qeverisë bullgare dhe çfarë duhet të zbatojë – 14 vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Sipas Mickoskit, për të ndërtuar besim, duhet “të shohim zbatim nga ajo anë” sepse, siç deklaroi ai, besimi krijohet vetëm nëse gjërat shkojnë në një rrugë me dy drejtime.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR I RMV-SË
“Dhe gjëja e katërt, e cila është gjithashtu e rëndësishme, është nëse të gjithë politikanët evropianë janë unanimë se nuk do të ketë më kushte. Atëherë më e pakta që mund të marrim si shtet janë përfundime të reja (nga Këshilli Evropian) në të cilat do t’i përfshijmë të gjitha këto. Në këtë mënyrë, mbështetja do të konfirmohet dhe besimi do të konfirmohet”.
Kujtojmë se, Costa vizitoi Maqedoninë e Veriut edhe në maj të vitit të kaluar, prej ku porositi se, vendit nuk i duhet plan B për anëtarësim në BE, por duhet të fokusohet në planin A, i cili është zbatimi i ndryshimeve kushtetuese si kusht për fillimin e negociatave.
Teuta Buçi /SHENJA/

