OBSH-ja verifikon 190 sulme ndaj kujdesit shëndetësor në Liban në tre muaj

OBSH-ja verifikon 190 sulme ndaj kujdesit shëndetësor në Liban në tre muaj

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha të martën se ka verifikuar 190 sulme ndaj objekteve dhe personelit shëndetësor në Liban gjatë tre muajve të fundit, duke paralajmëruar se sistemi shëndetësor i vendit po përballet me presion gjithnjë e më të madh mes përshkallëzimit të dhunës, raporton Anadolu.

Përfaqësuesi i OBSH-së në Liban, Abdinasir Abubakar, u tha gazetarëve në Gjenevë se më shumë se 3.400 persona janë vrarë dhe gati 10.400 janë plagosur që nga fillimi i përshkallëzimit të fundit izraelit në mars.

“Këta kanë qenë ndër muajt më vdekjeprurës për Libanin që nga fillimi i konfliktit në tetor 2023”, tha ai.

Sipas tij, sulmet ndaj sektorit shëndetësor kanë vrarë 128 punonjës shëndetësorë dhe kanë plagosur 332 të tjerë.

“Këto sulme jo vetëm që vrasin dhe gjymtojnë njerëz, por gjithashtu i privojnë ata nga shërbimet shëndetësore që u nevojiten pikërisht kur kanë më shumë nevojë për to”, tha Abubakar.

Sipas OBSH-së, rreth 130 mijë persona jetojnë aktualisht në strehimore pasi janë larguar nga zonat e luftimeve, një numër që mund të rritet pas urdhrave të fundit izraelitë për evakuimin e pjesëve të periferive jugore të Bejrutit.

Abubakar tha se 17 spitale janë dëmtuar pjesërisht, ndërsa tri spitale dhe 42 qendra të kujdesit shëndetësor parësor mbeten të mbyllura.

Ai veçoi edhe një sulm ndaj Spitalit Xhebel Amel që ndodhi të hënën dhe ende po verifikohet. Sipas informacioneve fillestare nga Ministria e Shëndetësisë e Libanit, të paktën 86 persona, përfshirë punonjës shëndetësorë, janë plagosur, ndërsa pjesë të spitalit, përfshirë urgjencën dhe njësinë e kujdesit intensiv, janë dëmtuar.

“Ne kemi nevojë që sulmet të ndalen dhe që kujdesi shëndetësor të mbrohet në mënyrë aktive”, tha Abubakar, duke bërë thirrje për financim të qëndrueshëm, qasje të papenguar humanitare dhe një armëpushim të qëndrueshëm.

MARKETING