OKB-ja “thellësisht e shqetësuar” nga përshkallëzimi në Liban
OKB-ja shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin e dhunës në jug të Libanit, pavarësisht një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të “respektojnë ndërprerjen e armiqësive”, raporton Anadolu.
“Jemi thellësisht të shqetësuar nga përshkallëzimi i aktiviteteve ushtarake në jug të Libanit dhe më gjerë”, tha zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric në konferencën e përditshme për shtyp.
“Paralajmërimet izraelite për sulme të afërta në periferitë jugore të Bejrutit janë shumë shqetësuese dhe kanë rritur frikën dhe pasigurinë te popullsia në Liban”, theksoi Dujjaric.
Ai përsëriti se “civilët dhe infrastruktura civile nuk duhet të jenë objekt sulmesh” dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve të “respektojnë ndërprerjen e armiqësive dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm”.
“Ne dënojmë çdo humbje të jetëve civile. Nuk ka alternativë ndaj një zgjidhjeje diplomatike për të thyer ciklin e dhunës dhe për të arritur stabilitet të qëndrueshëm në të dy anët e vijës blu”, tha ai.
Zëdhënësi tha se bisedimet Liban–Izrael të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, të cilat pritet të rifillojnë të martën, “duhet të kenë një shans të vërtetë për të pasur sukses”.
Izraeli ka vazhduar sulmet ndaj Libanit pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 17 prill, i cili më pas u zgjat për 45 ditë pas bisedimeve indirekte të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, sulmet që nga 2 marsi kanë vrarë më shumë se 3.400 njerëz në gjithë vendin.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu së fundmi urdhëroi thellimin e inkursionit, ndërsa forcat izraelite kanë marrë kontrollin e Kalasë strategjike Beaufort.
Një nga kushtet e Iranit për një marrëveshje për t’i dhënë fund përfundimisht luftës me SHBA-në është ndalimi i luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë edhe në Liban.

