Irani: SHBA-ja përgjegjëse për pasojat e shkeljeve të armëpushimit në Liban nga ana e Izraelit

Irani: SHBA-ja përgjegjëse për pasojat e shkeljeve të armëpushimit në Liban nga ana e Izraelit

Ministria e Jashtme e Iranit i konsideroi Shtetet e Bashkuara përgjegjëse për pasojat e shkeljeve të armëpushimit nga Izraeli në Liban, duke paralajmëruar se Teherani do t’i mbrojë interesat e tij “kudo që të jetë e nevojshme”, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, ministria tha se marrëveshja e armëpushimit e 8 prillit i dha fund asaj që e përshkroi si luftë e imponuar nga SHBA-ja dhe Izraeli në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.

Ajo tha se që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, SHBA-ja ka kryer vazhdimisht “shkelje të qarta” të marrëveshjes, përfshirë ndërhyrje të vazhdueshme në transportin tregtar iranian.

Ministria gjithashtu akuzoi Izraelin për shkelje të përsëritura të armëpushimit në Liban, duke thënë se sulmet izraelite kanë shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Libanit, kanë vrarë dhe plagosur mijëra libanezë, kanë zhvendosur rreth dy milionë njerëz dhe kanë dëmtuar infrastrukturën dhe shtëpitë civile.

“Shkelja e armëpushimit në një front përbën shkelje në të gjitha frontet”, thuhet në deklaratë.

– Përgjegjësia e SHBA-së

Ministria tha se, pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së në ditët e para pas armëpushimit për të ushtruar presion ndaj Izraelit për të ndalur sulmet në Liban, Washingtoni mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë si për shkeljet e armëpushimit me Iranin, ashtu edhe për shkeljet izraelite në Liban.

“Përgjegjësia për pasojat dhe efektet e kësaj situate i takon Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

Irani ka paralajmëruar vazhdimisht për pasoja të rrezikshme të shkeljeve të armëpushimit për paqen dhe sigurinë rajonale dhe ka bërë thirrje për ndaljen e sulmeve, shtoi ministria.

Ajo tha se Irani ruan të drejtën për t’u mbrojtur sipas të drejtës ndërkombëtare.

“Është e qartë se Republika Islamike e Iranit do të mbrojë interesat e saj me të gjitha kapacitetet dhe duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion, bazuar në të drejtën e saj të qenësishme për vetëmbrojtje, kudo që e sheh të nevojshme”, theksohet në deklaratë.

Deklarata vjen mes tensioneve në rritje për operacionet ushtarake izraelite në Liban dhe mosmarrëveshjeve të vazhdueshme midis Teheranit dhe Washingtonit pas armëpushimit.

MARKETING