PSG e mbron titullin e kampionit të Evropës, triumfon ndaj Arsenalit pas penalltive
Paris Saint-Germain ka mbrojtur me sukses titullin e Ligës së Kampionëve, duke triumfuar ndaj Arsenal pas ekzekutimit të penalltive, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën me rezultat 1-1.
Finalja mes dy gjigantëve evropianë nisi me ritëm të lartë dhe emocione të shumta. Arsenali kaloi në epërsi që në minutën e gjashtë, kur Kai Havertz realizoi për 1-0 pas një aksioni të shpejtë.
Megjithatë, PSG reagoi menjëherë duke marrë kontrollin e lojës dhe duke krijuar vazhdimisht raste shënimi. Skuadra franceze hasi në një mbrojtje të organizuar mirë nga londinezët, të cilët rezistuan për pjesën më të madhe të takimit.
Barazimi erdhi në pjesën e dytë, kur Khvicha Kvaratskhelia u ndal në mënyrë të palejuar brenda zonës. Nga pika e bardhë, fituesi i Topit të Artë, Ousmane Dembélé, u tregua i saktë dhe barazoi rezultatin në 1-1.
PSG vazhdoi të dominojë edhe pas golit të barazimit, duke rrezikuar përmes Kvaratskhelias, Bradley Barcola dhe Vitinha, por pa arritur të gjejë golin e avantazhit.
Me rezultatin e pandryshuar pas 90 minutave, ndeshja shkoi në vazhdime. Edhe aty PSG ishte skuadra më kërkuese, ndërsa Arsenali mbeti i rrezikshëm në kundërsulme dhe ishte pranë golit të fitores në minutat e fundit. Megjithatë, portieri parisien realizoi disa pritje vendimtare për të mbajtur skuadrën në lojë.
Fituesi u përcaktua vetëm pas penalltive. Futbollistët e PSG-së u treguan më të qetë dhe më të saktë nga pika e bardhë, duke siguruar trofeun më prestigjioz evropian për klube. Te Arsenali, figurat tragjike ishin Eberechi Eze dhe Gabriel Magalhães, të cilët gabuan në momentet vendimtare, ndërsa për PSG-në vetëm Nuno Mendes nuk arriti të shënonte.
Me këtë sukses, PSG hyn në histori si skuadra e dytë që arrin të mbrojë titullin e Ligës së Kampionëve, duke ndjekur gjurmët e Real Madrid.

