(VIDEO) Ministrja e re bullgare me mesazh: Shkupi të kërkojë zgjidhje, jo konflikt
Maqedonia e Veriut duhet të përqendrohet në përmbushjen e detyrimeve të marra dhe jo në kërkimin e konflikteve me Sofjen. Ky ishte mesazhi i ministres së re të Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Velisllava Petrova. Ajo deklaroi për BNT se Bullgaria mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjeve të arritura në vitin 2022 dhe se rruga e Shkupit drejt Bashkimit Evropian kalon përmes zbatimit të tyre. Sipas Petrovës, çështja nuk është dypalëshe, por lidhet me marrëdhëniet ndërmjet një vendi kandidat dhe Bashkimit Evropian. Ajo theksoi se Sofja ruan një ton pozitiv, por shtoi se shpesh nuk sheh të njëjtën qasje nga pala maqedonase.
VELISLLAVA PETROVA, MINISTRE E JASHTME E BULLGARISË
“Shpresoj të gjej pjekuri politike nga pala tjetër për t’iu qasur kësaj çështjeje në këtë mënyrë. Shpesh nuk e shoh këtë”.
Ministrja bullgare ritheksoi mbështetjen për të ashtuquajturin “propozim francez”, duke e cilësuar atë si pozicion evropian dhe një nga arritjet kryesore të vitit 2022. Ministrja rikujtoi se kishte marrë pjesë personalisht në negociatat për kornizën negociuese dhe e di në detaje se çfarë është dakorduar me Shkupin.
VELISLLAVA PETROVA, MINISTRE E JASHTME E BULLGARISË
“Është për të ardhur keq që po kthehem në qeveri katër vjet më vonë dhe nuk ka asnjë përparim për këtë çështje”.
Sipas Petrovës, autoritetet në Maqedoni duhet ta shfrytëzojnë “dritaren e hapur” aktuale për zgjerimin e BE-së, në vend që të përshkallëzojnë tensionet me Sofjen. Ajo theksoi se në Bullgari ekziston unitet i plotë politik për këtë çështje.
Deklaratat e saj vijnë në një periudhë tensionesh të reja mes Shkupit dhe Sofjes. Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe kryeministri Hristijan Mickoski kanë deklaruar se nuk do të pranojnë ndryshime kushtetuese pa ndryshime në qasjen e palës bullgare. Ndërkohë, javën e ardhshme në Shkup pritet të qëndrojë presidenti i Këshillit Evropian, António Costa.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

