MEPJ: Shqipëria dënon sulmin rus me dron në Galati të Rumanisë
Shqipëria ka dënuar “sulmin rus me dron” në Galati të Rumanisë, i cili sipas autoriteteve goditi një ndërtesë banimi dhe plagosi civilë, përfshirë një të mitur, transmeton Anadolu.
Në një reagim të publikuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në rrjetet sociale thuhet se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me aleatët dhe partnerët, “në mbështetje të përpjekjeve të koordinuara për t’i dhënë fund kësaj lufte në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”.
“Shprehim solidaritetin tonë të plotë me popullin dhe autoritetet e Rumanisë dhe u urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë të plagosurve. Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse dhe nënvizon më tej absurditetin dhe koston njerëzore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasojat e së cilës vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë dhe mbrojtjen e civilëve përtej kufijve të Ukrainës”, thekson reagimi.
Një dron u rrëzua në një ndërtesë banimi në qytetin juglindor Galati në Rumani, pranë kufirit me Ukrainën, duke plagosur dy persona dhe duke shkaktuar zjarr, thanë autoritetet.

