Portugalia thyen rekordin e nxehtësisë për muajin maj

Portugalia thyen rekordin e nxehtësisë për muajin maj

Portugalia ka regjistruar një rekord të ri për ditën më të nxehtë të muajit maj, me temperaturë prej 40.3 Gradë Celsius të matur të mërkurën në qytetin Moura, në pjesën qendrore të vendit.

Me këtë është thyer rekordi i mëparshëm prej 40 gradë Celsius i vendosur në maj të vitit 2001.

Kjo valë e të nxehtit ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore, duke shkaktuar probleme, shkruan bbc.

Shkaku i drejtpërdrejtë i kësaj vale të nxehti është i ashtuquajturi “kupolë e nxehtësisë”, një zonë me presion të lartë ajri që “mbetet e bllokuar” në një vend dhe mban ajrin e nxehtë poshtë saj.

Shkencëtarët theksojnë se, edhe pse është e vështirë të lidhen drejtpërdrejt ngjarjet ekstreme me ndryshimet klimatike, ato po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive.

Sipas të dhënave të shërbimit klimatik Copernicus, Evropa është ngrohur në 30 vitet e fundit me një ritëm prej 0.56 gradë Celsius për dekadë, mjaftueshëm për t’i bërë temperaturat ekstreme dukshëm më të rënda.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar të enjten se temperaturat mesatare globale ka shumë gjasa të mbeten në nivele rekord ose pranë tyre këtë vit dhe gjatë katër viteve të ardhshme.

Të gjitha 11 vitet më të nxehta të regjistruara në histori janë shënuar që nga viti 2015, dhe agjencia e OKB-së për motin dhe klimën parashikon se ky trend do të vazhdojë, duke bërë të mundshme një vit të ri rekord para vitit 2031. 

MARKETING