Media iraniane: Draft-memorandumi Iran-SHBA nuk është finalizuar, ndryshe nga raportimet perëndimore
Një draft-memorandum ndërmjet Iranit dhe SHBA-së ende nuk është finalizuar, ndryshe nga raportimet e disa mediave perëndimore, tha të enjten një burim pranë ekipit negociator Iranian, transmeton Anadolu.
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim raportoi se burimi tha që raportimet sipas të cilave memorandumi i mirëkuptimit ishte finalizuar dhe priste shpalljen zyrtare nga të dyja palët “nuk pasqyrojnë realitetin”, duke shtuar se “teksti ende nuk është finalizuar”.
Burimi shtoi se Irani nuk e ka informuar ndërmjetësuesin pakistanez se teksti është finalizuar. Ai tha se nëse marrëveshja përfundimisht finalizohet, Irani do të njoftojë ndërmjetësuesin pakistanez dhe publikun.
“Deri atëherë, çdo narrativë nga burime perëndimore që pretendon se çështja është finalizuar nuk është e besueshme”, tha burimi.
Duke cituar zyrtarë amerikanë, faqja e lajmeve Axios raportoi se negociatorët amerikanë dhe iranianë kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për zgjatjen 60-ditore të armëpushimit dhe një kornizë për bisedimet bërthamore.
Raporti tha se presidenti Donald Trump ende nuk e ka dhënë miratimin përfundimtar për memorandumin e mirëkuptimit, megjithëse negociatorët nga të dyja palët kanë finalizuar në masë të madhe kushtet.

