Bashkimi Evropian mund t’u mohojë vendeve të reja anëtare të drejtën e vetos

Bashkimi Evropian mund t’u mohojë vendeve të reja anëtare të drejtën e vetos

Bashkimi Evropian mund t’u heqë vendeve të ardhshme anëtare të drejtën e vetos për disa vite, në përpjekje për ta bërë zgjerimin më të pranueshëm politikisht, teksa blloku po shtyn për pranimin e vendeve të reja para fundit të kësaj dekade.

Sipas planeve që po shqyrtohen nga Komisioni Evropian, vendet kandidate për anëtarësim, si Moldavi dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, nuk do të kenë automatikisht të drejtën për të bllokuar vendimet e politikës së jashtme apo çështje të tjera që miratohen me unanimitet, si taksat, menjëherë pas anëtarësimit në BE.

Ideja është veçanërisht e rëndësishme për Malin e Zi, vendin favorit mes nëntë vendeve zyrtare kandidate për BE. Ish-republika jugosllave me 624 mijë banorë synon të bëhet anëtarja e 28-të e BE-së deri në vitin 2028. Këtë muaj, një grup teknik i ngarkuar me hartimin e traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi u mblodh për herë të parë, shenjë se negociatat 14-vjeçare po hyjnë në fazën përfundimtare.

Në këtë kontekst, zyrtarët e BE-së po shqyrtojnë masa mbrojtëse për vendet e reja anëtare, me qëllim që të shmanget bllokimi i vendimeve nga një shtet i vetëm anëtar, sipas katër burimeve të BE-së. Ideja lindi pas përvojës së vështirë me Hungari, ku qeveria e mëparshme proruse e udhëhequr nga Viktor Orbán vendosi veto ndaj disa vendimeve të mëdha të BE-së, përfshirë një hua prej 90 miliardë eurosh për Ukrainë.

Një ndalim i përkohshëm i të drejtës së vetos mund të përfshihet në traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi dhe më pas të shërbejë si model për vendet e tjera që presin në radhë.

Kjo masë konsiderohet juridikisht në kufijtë e pranueshmërisë dhe mund të zbatohet vetëm për një periudhë të përkohshme, në mënyrë që të shmanget krijimi i anëtarëve të dorës së dytë në BE.

Në një zhvillim të veçantë, kancelari gjerman Friedrich Merz u shkroi liderëve të BE-së javën e kaluar duke kërkuar “zgjidhje inovative” për të përshpejtuar anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në letrën ku zgjerimi i BE-së përshkruhet si “domosdoshmëri gjeopolitike”, Merz kërkoi gjithashtu “anëtarësim të asociuar për Ukrainën” si një “hap vendimtar në rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit të plotë”.

Anëtarësimi i asociuar për Ukrainën do të nënkuptonte pjesëmarrje në takimet e BE-së dhe përfaqësim në institucionet e bllokut pa të drejtë vote. Sipas Merz, propozimi gjerman “pasqyron situatën e veçantë të Ukrainës, një vend në luftë” dhe do të “lehtësonte negociatat e vazhdueshme për paqe”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e hodhi poshtë këtë ide.

“Vendi i Ukrainës në Bashkimin Evropian duhet të jetë i plotë, i barabartë dhe me të drejta të plota”, shkroi ai në rrjetet sociale pasi letra e Merz u bë publike.

Zgjerimi i BE-së pothuajse kishte ngecur derisa pushtimi i plotë rus i Ukrainës në vitin 2022 i dha urgjencë të re negociatave me fqinjët lindorë. Komisioni Evropian deklaroi vitin e kaluar se mund të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030, duke identifikuar Malin e Zi dhe Shqipërinë si favoritët, ndërsa vlerësoi progresin e shpejtë të Moldavisë dhe sugjeroi se anëtarësimi në BE mund të shërbejë si garanci sigurie për Ukrainën.

Shtyrja e të drejtës së vetos është vetëm një nga disa masat mbrojtëse që po diskutohen për ta bërë zgjerimin më të pranueshëm.

Vendet ekzistuese të BE-së duhet të bien dakord unanimisht për pranimin e vendeve të reja. Zyrtarët janë veçanërisht të shqetësuar për ratifikimin në Francë, ku zgjedhjet presidenciale do të mbahen në vitin 2027 dhe skepticizmi ndaj zgjerimit të BE-së po rritet.

Burime të BE-së argumentojnë se nevojitet mendim kreativ për të realizuar zgjerimin, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, një rajon me 17.4 milionë banorë ku Rusia dhe Kinë po përpiqen të rrisin ndikimin e tyre.

Një diplomat i BE-së tha se shtyrja e të drejtës së vetos është një nga “zgjidhjet konstruktive” që po shqyrtohen si pjesë e një procesi “mendimi kreativ” për zgjerimin e unionit.

Ndërkohë, Gjermania ka udhëhequr përpjekjet për reforma të brendshme në BE, si heqja e vetos në politikën e jashtme, nga frika se një union me më shumë se 35 vende anëtare do të paralizohej nga bllokimet politike.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, deklaroi më herët këtë muaj se “një union me 33, 34 apo 35 shtete anëtare nuk mund të vazhdojë të funksionojë me të njëjtën qasje që ishte projektuar për një grup shumë më të vogël”.

Megjithatë, ekzekutivi i BE-së druhet se pritja për konsensus mbi reformat e brendshme, të cilat mund të kërkojnë ndryshime traktatesh, mund ta shtyjë zgjerimin në plan të dytë.

Për vendet kandidate, Ukraina konsiderohet rast i veçantë për shkak të madhësisë së saj, luftës me Rusinë dhe kostove të mëdha të rindërtimit. Kostoja totale e rindërtimit të Ukrainës vlerësohej në 588 miliardë dollarë deri më 21 dhjetor 2025, trefishi i ekonomisë së saj.

Zyrtarët e BE-së besojnë se Ukraina mund ta përfundojë teknikisht procesin e anëtarësimit brenda katër vitesh, por data e hyrjes shihet si një çështje politike e lidhur me marrëveshjen e paqes.

Engjellushe Morina, studiuese e lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se një bllokim i përkohshëm i vetos “nuk është aq drastik” dhe do të përdoret nga politikanët për ta bërë zgjerimin më të pranueshëm.

“Nuk do të çuditesha nëse shohim diçka të tillë në traktatin e Malit të Zi. Kjo do të shërbente si model për anëtarët e rinj. Politikanët do të thonë: ‘po marrim masa mbrojtëse dhe po tregojmë kujdes’. Kjo është logjika”, tha ajo.

Ideja synon gjithashtu të mbrojë unionin nga mundësia që një vend i ri anëtar të ndryshojë drejtim politik pas anëtarësimit, për shembull nëse në Mal të Zi vjen në pushtet një qeveri pro-ruse.

Një burim nga qeveria malazeze deklaroi se objektivi i vendit mbetet anëtarësimi i plotë në BE, “me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë që sjell statusi i një shteti anëtar të barabartë”, duke shtuar se Mali i Zi “nuk kundërshton mekanizmat mbrojtës dhe beson se ata mund të luajnë rol konstruktiv në garantimin e qëndrueshmërisë së reformave edhe pas anëtarësimit”.

MARKETING