Zelenskyy bën thirrje për mbështetje më të fortë të mbrojtjes ajrore nga Evropa
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, bëri thirrje për mbështetje më të fortë evropiane për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, transmeton Anadolu.
Duke folur në një samit të qyteteve dhe rajoneve në kryeqytetin Kiev, Zelenskyy tha se në ngjarje morën pjesë delegatë nga Polonia, Franca, Austria, Rumania, Norvegjia, Gjermania, Portugalia, Italia, shtetet baltike, Hungaria, Suedia, Çekia, Sllovakia dhe disa vende të tjera.
Ai vuri në dukje se Sviatlana Tsikhanouskaya, ish-kandidate opozitare për presidente e Bjellorusisë – një vend aleat i Rusisë në luftën në Ukrainë – gjithashtu mori pjesë në aktivitet.
Zelenskyy theksoi se forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës duhet të mbetet “prioriteti numër një” për udhëheqësit politikë në mbarë Evropën.
“Është e rëndësishme të vazhdojmë të punojmë së bashku për qëndrueshmërinë e komuniteteve ukrainase dhe, rrjedhimisht, për përvojën e qëndrueshmërisë që do të jetë e dobishme edhe për komunitetet në vendet tuaja”, tha ai.
Zelenskyy tha gjithashtu se është takuar me Edouard Philippe, kryetarin e bashkisë së qytetit francez Le Havre dhe kryetar i partisë “Horizontet”, duke e falënderuar Francën për mbështetjen dhe duke e cilësuar vizitën e Philippes si “shfaqje të rëndësishme solidariteti me Ukrainën”.
Të dy diskutuan për synimin e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Zelenskyy shprehu shpresën se të gjitha kapitujt negociues mund të hapen “në të ardhmen e afërt”.
Lideri ukrainas tha gjithashtu se bisedimet u përqendruan në ndihmën energjetike dhe bashkëpunimin në mbrojtje, përfshirë synimin e Kievit për forcimin e mbrojtjes ajrore dhe krijimin e “sistemit të vet evropian antibalistik”.

