Marrëveshja SHBA-Iran është “afër”, i thotë shefi i ushtrisë pakistaneze kryediplomatit kinez në Pekin
Shefi i ushtrisë së Pakistanit, Feldmareshall Asim Munir, i ka thënë sot ministrit të Jashtëm të Kinës, Wang Yi, se një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit “është afër arritjes”, njoftoi media shtetërore kineze, ndërsa Islamabadi po intensifikon përpjekjet e ndërmjetësimit mes Teheranit dhe Washingtonit, transmeton Anadolu.
Asim Munir i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi në Pekin, të zhvilluar në kuadër të vizitës zyrtare të kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, në Kinë, raportoi China Daily, duke cituar Ministrinë e Jashtme kineze.
Asim Munir e ka informuar Wang Yinë për zhvillimet më të fundit në rolin e Pakistanit në negociatat që synojnë uljen e tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Shefi i ushtrisë pakistaneze udhëtoi në Kinë pasi më parë vizitoi Iranin, ku zhvilloi bisedime me udhëheqjen iraniane.
Sipas lajmit, Asim Munir ka thënë se Pakistani është i gatshëm të “vazhdoë të bëjë çdo përpjekje” për të lehtësuar një marrëveshje dhe ka shprehur shpresën që Kina të luajë një rol më të madh në këtë proces.
Wang Yi e ka cilësuar Pakistanin si “një ndërmjetës të besueshëm” dhe ka thënë se Pekini e vlerëson dhe mbështet përpjekjen diplomatike të Islamabadit.
Takimi u zhvillua në një kohë të aktivitetit të ripërtërirë diplomatik rreth përplasjes Iran–SHBA pas javësh tensionesh rajonale dhe përpjekjesh ndërmjetësimi nga Pakistani, Katari dhe shtetet e Gjirit.
Pakistani kishte organizuar më herët bisedime të drejtpërdrejta mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë këtë vit, ndonëse negociatat më vonë u bllokuan për shkak të kërkesave kyç.
Presidenti kinez Xi Jinping gjithashtu u takua me kryeministrin Shehbaz Sharif në Pekin të hënën, duke vlerësuar rolin e Pakistanit në promovimin e paqes rajonale dhe duke riafirmuar atë që e quajti partneritet “të pathyeshëm” mes dy vendeve.

