Modric gati të vazhdojë te Milani, por vendos dy kushte për rinovimin

Modric gati të vazhdojë te Milani, por vendos dy kushte për rinovimin

E ardhmja e Luka Modrić te Milani mund të marrë një kthesë pozitive, pasi mesfushori kroat raportohet i gatshëm të vazhdojë edhe për një sezon tjetër me kuqezinjtë.
Kontrata aktuale e veteranit skadon më 30 qershor, por ekziston mundësia e rinovimit edhe për një vit shtesë.
Sipas raportimeve të CalcioMercato, Modric ka dhënë sinjale të qarta se dëshiron të qëndrojë në Milano, megjithatë përpara vendimit final ka vendosur dy kushte të rëndësishme.

Kushti i parë lidhet drejtpërdrejt me objektivat sportivë të klubit. Kroati dëshiron që Milani të sigurojë pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm. Një objektiv që kuqezinjtë mund ta arrijnë që në mbrëmjen e sotme, nëse triumfojnë ndaj Cagliarit.

Ndërkohë, kushti i dytë ka të bëjë me pankinën teknike. Modric kërkon vazhdimësinë e Massimiliano Allegri si trajner edhe për sezonin e ardhshëm, duke dëshmuar raportin e fortë profesional dhe personal mes tyre.

Sipas raportimeve, lidhja mes Modric dhe Allegrit konsiderohet aq e ngushtë, sa emri i kroatit është përmendur edhe si një kandidat i mundshëm për t’iu bashkuar stafit teknik të trajnerit italian në të ardhmen, pasi të vendosë t’i japë fund karrierës si futbollist.
Tashmë, gjithçka mbetet në pritje të zhvillimeve të ditëve në vijim, me Milanin që fillimisht duhet të sigurojë objektivat sportive për të bindur një nga figurat më me përvojë të skuadrës të vazhdojë aventurën kuqezi.

MARKETING