Deputetët evropianë kritikojnë trajtimin izraelit të aktivistëve të flotës së ndihmës me destinacion Gazën

Deputetët evropianë kritikojnë trajtimin izraelit të aktivistëve të flotës së ndihmës me destinacion Gazën

Anëtarë të Parlamentit Evropian dënuan keqtrajtimin nga Izraeli të aktivistëve në bordin e Flotiljes Globale Sumud pasi forcat izraelite i ndaluan ata në ujërat ndërkombëtare më herët gjatë kësaj jave, transmeton Anadolu.

Eurodeputeti belg Marc Botenga tha se qytetarët evropianë fillimisht u rrëmbyen në Mesdhe dhe më pas u abuzuan, u rrahën dhe u poshtëruan nga Izraeli.

“Nëse do të ishte Rusia, Evropa tashmë do të ishte në gjendje lufte. Por është Izraeli. Kështu që njerëzit e minimizojnë, flasin për një ministër të izoluar dhe ruajnë partneritetin me shtetin agresor”, shkroi ai në platformën amerikane X.

Rima Hassan, anëtare franko-palestineze e Parlamentit Evropian, tha se ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir nuk është “shkaku i së keqes, por shprehja e një shteti kolonial që e bëri të mundur”.

“Nuk është Ben Gvir ai që krijon sistemin; është shteti kolonial izraelit që prodhon figura si ai. Ai është thjesht një simptomë, jo shkaku”, shkroi ajo në X.

Reagimet erdhën pasi Ben-Gvir publikoi të mërkurën një video ku shihej duke tallur aktivistët propalestinezë, të cilët dukeshin me duar të lidhura dhe të detyruar të gjunjëzoheshin pasi u ndaluan nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare.

Videoja shkaktoi kritika si brenda Izraelit, ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Forcat izraelite sulmuan flotiljen humanitare në ujërat ndërkombëtare të hënën dhe ndaluan të gjithë aktivistët në bord.

Flotilja, që transportonte 428 persona nga 44 vende, ishte nisur nga rrethi turk Marmaris në përpjekje për të thyer bllokadën e paligjshme izraelite ndaj Gazës, e vendosur që nga viti 2007.

MARKETING