Të jesh Kuran: Sfida e vërtetë e myslimanit modern

Të jesh Kuran: Sfida e vërtetë e myslimanit modern

Shkruan: Prof. Dr. Metin Izeti

Sot, bota myslimane numëron miliona njerëz që e lexojnë Kuranin me një rregullsi të admirueshme. Ka me qindra mijëra *hafizë* (memorizues të Kuranit) që e mbajnë çdo shkronjë të tij në mendje, dhe bibliotekat janë të mbushura plot me *tefsire* (komente) të hollësishme që shpjegojnë çdo nuancë gjuhësore e teologjike. Libri është i ruajtur, i lexuar dhe i studiuar si kurrë më parë.
Megjithatë, hendeku mes asaj që shkruhet në letër dhe asaj që shihet në realitetin e përditshëm mbetet i madh. Kjo dëshmon një teori sa të dhimbshme, aq edhe të vërtetë:
Problemi i myslimanëve sot nuk është mosdija, por mosbërja. Problemi nuk është se nuk dinë ta lexojnë apo ta kuptojnë Kuranin, por se nuk po arrijnë dot të “bëhen” Kuran.
Kur u pyet një herë nga sahabët se si ishte morali i Pejgamberit a.s., bashkëshortja e tij, Aisheja, dha një përgjigje që mbetet thirrja më e madhe për çdo besimtar:
“Morali i tij ishte Kurani.” Ai nuk ishte thjesht një transmetues i tekstit; ai ishte përkthimi i gjallë i tij në ecje, në tregti, në familje dhe në shoqëri. Kurani tek ai nuk ishte thjesht një libër që recitohej bukur, por një manual jetese që merrte frymë.
Sot, kriza qëndron te shndërrimi i fesë në një ritual mekanik. Dallimi mes të pasurit njohuri dhe të jetuarit të asaj njohurie është ai që bën diferencën midis një shoqërie në krizë dhe një shoqërie në lulëzim.
Të memorizosh Kuranin kërkon disiplinë dhe memorie. Të lexosh komentet kërkon intelekt. Por të bëhesh Kuran kërkon diçka shumë më të vështirë: shkatërrimin e egos (nefsit).
Është e lehtë të lexosh ajetet për drejtësinë, por është e vështirë të jesh i drejtë kur interesi yt personal rrezikohet.
Është e lehtë të mësosh përmendsh pjesët për mëshirën dhe faljen, por është sfiduese të falësh atë që të ka lënduar.
Është e lehtë të dëgjosh për ndershmërinë në tregti, por është joshëse të mashtrosh për pak më shumë fitim.
Kurani nuk ka ardhur që njerëzit thjesht t’i lëmojnë zërat nëpër gara recitimi, as që të jetë një dekoratë luksoze në shtëpi. Ai ka ardhur që ta transformojë njeriun në një burim paqeje, drejtësie dhe morali për rrethin ku jeton.
Nëse myslimanët sot duan të ndryshojnë gjendjen e tyre shoqërore, politike dhe shpirtërore, ata duhet të kalojnë nga faza e “konsumimit” të tekstit në fazën e “mishërimit” të tij. Sfida nuk është më të shtohet numri i faqeve të lexuara brenda ditës, por të shtohet numri i porosive kuranore që jetësohen brenda karakterit.
Bota nuk ka nevojë për më shumë libra nëpër rafte, por ka etje për “Kurane të gjalla” që ecin mbi tokë – njerëz që me thjeshtësinë, drejtësinë dhe mëshirën e tyre, bëhen dëshmitarë të vërtetë të asaj që besojnë.

MARKETING