FFM dënon sjelljen e futbollistëve të Vardarit gjatë festimit të titullit kampion
Federata e Futbollit të Maqedonisë ka dënuar sjelljen fyese dhe të pahijshme të Vardarit gjatë festimit të titullit kampion.
Nga FFM thonë se festat sportive duhet të jenë me dinjitet dhe respekt, ndërsa fyerjet, këngët vulgare dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë vend në futboll, pavarësisht ndaj kujt drejtohen.
Federata thekson se rivaliteti mes ekipeve duhet të mbetet sportiv dhe me respekt të ndërsjellë. Për këtë rast, Inspektori Disiplinor i FFM-së do të hapë procedurë ndaj klubit.
FFM shton se do të vazhdojë të mbrojë fair-play-in dhe integritetin e garave sportive. Nga federata paralajmërojnë se çdo sjellje e ngjashme do të sanksionohet sipas rregulloreve disiplinore. Reagimi i FFM-së vjen pas festimeve të fundit të titullit kampion nga ana e klubit shkupjan.

