Rikthehet Angela Merkel! Ja roli i rëndësishëm që mund t’i besohet ish-kancelares gjermane
sh-kancelarja gjermane Angela Merkel po përflitet si një nga emrat e mundshëm për rolin e ndërmjetëses në negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës. Sipas revistës gjermane “der Spiegel”, në prapaskenat e qarqeve politike po diskutohet ideja që Merkel mund të jetë e përshtatshme për këtë rol, duke qenë se flet rusisht, njeh personalisht Volodymyr Zelensky-n dhe Vladimir Putinin, si edhe është prej kohësh jashtë politikës aktive.
Diskutimet kanë marrë hov pasi Putin propozoi ish-kancelarin Gerhard Schröder si ndërmjetës të mundshëm në negociata. Ndërkohë, e pyetur për këtë çështje, diplomatja kryesore e Bashkimit Europian Kaja Kallas deklaroi se “nuk do të ishte shumë e mençur” nga ana e Kremlinit të diktonte kandidaturën e negociatorit.
Nga ana tjetër, kreu i Konferencës së Sigurisë në Mynih, Wolfgang Ischinger, tha se kushdo që do të marrë rolin e ndërmjetësit duhet të ketë “mbështetje të gjerë europiane”, veçanërisht nga Europa Lindore dhe shtetet baltike.
Si kancelare, Merkel u kritikua shpesh nga Polonia dhe vendet baltike për mbështetjen e projektit të gazsjellësit Nord Stream 2. Ajo gjithashtu kishte rol kyç në marrëveshjet e Minskut të viteve 2014 dhe 2015, të cilat nuk arritën të ndalonin pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022. Zyra e Merkel i tha “Spiegel” se deri tani nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare për një rol të tillë, por nuk e mohoi mundësinë që ish-kancelarja të mund të përfshihet në negociata.

