Lufta me Iranin u ka kushtuar amerikanëve mbi 37 miliardë dollarë në rritje të çmimeve të karburantit
Lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit u ka kushtuar amerikanëve më shumë se 37.3 miliardë dollarë në çmime shtesë të energjisë, tregon një studim i publikuar të hënën, transmeton Anadolu.
Gjurmuesi i Kostos së Energjisë së Luftës në Iran nga Shkolla Watson e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike e Universitetit Brown vlerëson se amerikanët kanë paguar rreth 37,346,893,483 dollarë në çmime shtesë të energjisë që nga 28 shkurti kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme të papritura ndaj Iranit.
Të dhënat po përditësohen në kohë reale me numrin që vazhdon të rritet me çdo sekondë që kalon. Shumica e kostove shtesë, 20.41 miliardë dollarë janë paguar për naftën ndërsa nafta përbën gati 17 miliardë dollarë.
Një familje mesatare amerikane ka paguar 285.10 dollarë më shumë në muaj si për benzinë ashtu edhe për naftë.
“Ky është shpenzim që vjen direkt nga xhepat e konsumatorëve amerikanë dhe konsumatorët mund ta përdorin gjurmuesin për të ndihmuar në planifikimin e kostove shtesë që mund të vijnë me udhëtimet rrugore ose pushimet verore”, tha udhëheqësi i projektit të Universitetit Brown, Jeff Colgan, në një deklaratë kur mjeti u lançua në mesin e prillit.
Lufta dhe vendimi hakmarrës i Iranit për të mbyllur Ngushticën kritike të Hormuzit, kanë rritur ndjeshëm çmimet globale të energjisë. Sot, kostoja e benzinës është 4.520 dollarë për galon në SHBA, mbi 50 për qind më e lartë se kur filloi lufta me çmimet që atëherë ishin nën 3 dollarë për galon.
Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më të rëndësishme detare në botë, që lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik. Ndërprerja e saj e zgjatur ka rritur presionin mbi portet rajonale, oraret e transportit detar dhe zinxhirët globalë të furnizimit tashmë të tendosur nga rreziqet e sigurisë të lidhura me luftën e Iranit.
Përveç mbylljes së ngushticës, Irani u hakmor kundër aleatëve arabë të Gjirit të SHBA-së duke synuar infrastrukturën kritike të energjisë në ato vende, duke rritur më tej koston ekonomike të konfliktit.

