Kryediplomati belg: Turqia është mbrojtësja e krahut juglindor të kontinentit evropian

Kryediplomati belg: Turqia është mbrojtësja e krahut juglindor të kontinentit evropian

Ministri belg i Punëve të Jashtme, Maxime Prevot, ka deklaruar se Belgjika e konsideron Turqinë si një aleate kyçe strategjike në NATO dhe “mbrojtëse të krahut juglindor të kontinentit evropian”, raporton Anadolu.

Duke folur në një konferencë për media në Stamboll, Prevot tha se pozicioni gjeopolitik dhe kapacitetet ushtarake të Turqisë e bëjnë atë një partner të domosdoshëm për Evropën dhe NATO-n.

“Ju jeni mbrojtësja e krahut juglindor të kontinentit evropian. Natyrisht, ne e konsiderojmë Turqinë, si ushtria e dytë më e madhe në NATO, një partner vërtet strategjik”, tha Prevot.

Prevot gjithashtu vlerësoi investimet afatgjata të Turqisë në mbrojtje, duke theksuar se Ankaraja ka rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake gjatë dekadës së fundit.

Komentet e tij erdhën pasi u pyet nga Anadolu nëse Turqia mund të luajë një rol më të madh në forcimin e mbrojtjes evropiane në një kohë kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka ngritur vazhdimisht mundësinë e reduktimit ose zhvendosjes së trupave amerikane në Evropë.

Prevot tha se Belgjika nuk është aktualisht e shqetësuar për një tërheqje të mundshme të forcave amerikane nga kontinenti, duke shtuar se ri-orientimi strategjik i SHBA-së është diskutuar prej vitesh.

“E dimë prej kohësh se SHBA-ja e imagjinon me të drejtë organizimin ndryshe të pranisë së saj ushtarake në kontinentin evropian, duke marrë parasysh të gjitha pjesët e botës. Mendoj se diçka e tillë do të negociohej dhe diskutohej me qeveritë e tjera”, tha ai.

Ministri belg gjithashtu tha se vendi i tij është i angazhuar të rrisë shpenzimet ushtarake pasi ka arritur objektivin e NATO-s prej 2 për qind të prodhimit bruto të brendshëm vitin e kaluar.

“Ne do të vazhdojmë të investojmë, sepse duam të mbetemi një partner i besueshëm brenda NATO-s”, tha ai.

Sa i përket marrëdhënieve Turqi-BE, Prevot tha se Belgjika mbështet rishikimin e Unionit Doganor Turqi-BE, duke argumentuar se korniza aktuale nuk pasqyron më realitetet ekonomike të kohës.

“Nuk ka kuptim të menaxhohen çështjet ekonomike në vitin 2026 me një kornizë ekonomike të tre dekadave më parë”, tha ai, duke iu referuar marrëveshjes së vitit 1996.

Ai tha se marrëveshja aktuale fokusohet kryesisht në mallra, ndërsa nuk trajton mjaftueshëm shërbimet dhe mekanizmat modern të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

“Kjo është një aset i madh për Turqinë, por edhe për BE-në”, shtoi Prevot, duke theksuar se Brukseli dhe Ankaraja duhet të ecin “më shpejt dhe më larg” për ta përditësuar kornizën.

MARKETING