Irani: Ende nuk ka vendim përfundimtar për propozimin e SHBA-së të transmetuar përmes Pakistanit

Irani: Ende nuk ka vendim përfundimtar për propozimin e SHBA-së të transmetuar përmes Pakistanit

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Iranit, Esmaeil Baghaei, ka bërë të ditur se vendi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për propozimin e SHBA-së të transmetuar përmes ndërmjetësimit pakistanez dhe mbetet në fazën e shqyrtimit, transmeton Anadolu.

“Çështja më e rëndësishme e politikës së jashtme që po diskutohet këto ditë është lufta, armëpushimi dhe përpjekjet për t’i dhënë fund luftës dhe për të rikthyer paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Baghaei në një intervistë për agjencinë zyrtare iraniane IRNA.

Ai tha se diskutimet e fundit me zyrtarët pakistanezë janë fokusuar në kornizën e propozuar nga Irani, e përshkruar si një “propozim me 14 pika”, e cila i është transmetuar SHBA-së përmes Pakistanit.

Baghaei tha se Irani aktualisht po e shqyrton propozimin dhe do t’i komunikojë përfundimet e tij ndërmjetësit pakistanez pasi të përfundojnë vlerësimet e brendshme.

“Në bazë të rezultatit të këtyre shkëmbimeve të mesazheve, do të vendoset hapi i radhës”, tha ai.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Teherani i ka dhënë tashmë përgjigje SHBA-së, Baghaei tha se Irani ende nuk ka dhënë një përgjigje.

“Ne ende po e shqyrtojmë propozimin. Duhet të arrijmë një përfundim së pari dhe sigurisht do ta informojmë publikun më pas”, shtoi ai.

MARKETING